Banorët e zonës së Rrjollit vijojnë protestën e tyre për mbrojtjen e pronave, duke u mbledhur këtë të mërkurë përpara godinës së Kuvendi i Shqipërisë. Kjo është dita e 34-të e protestës, ndërsa rezistenca në terren në zonën e tyre ka vijuar pa ndërprerje.
Protestuesit shprehen të vendosur që të mos tërhiqen nga qëndrimi i tyre dhe kërkojnë zgjidhje për çështjen e pronave, të cilat sipas tyre u përkasin prej brezash. Tubimi është organizuar nga partia e drejtuar nga Agron Shehaj.
Gjatë protestës, një nga banorët e Rrjollit deklaroi se nuk do të lejojnë që toka e trashëguar nga familjet e tyre të merret nga askush.
“Bashkim Ulaj ta premtoj që nuk të lëmë pronën e gjyshërve tanë. Në atë tokë familjet tona kanë sakrifikuar gjithçka për ta trashëguar. Unë jam një nga pronarët dhe nuk do të lejoj që dikush të na marrë atë që na takon. E them sërish, Gzim Ulaj nuk e gëzon tokën time pa vdekur unë”, u shpreh ai.
Protestës iu bashkuan edhe qytetarë nga Durrës, të cilët kundërshtojnë projektin e njohur si TID dhe zhvillimet e planifikuara në këtë zonë.
Banorët deklarojnë se janë të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë për të mbrojtur pronat e tyre. “Jemi gati të sakrifikojmë edhe jetën për pronën”, u shprehën disa prej protestuesve.
Sipas tyre, qëndresa do të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e pronave në zonën e Rrjollit.
Ndërkohë, punimet për ndërtimin e projektit turistik “Blu Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh kanë nisur në fillim të muajit shkurt nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Projekti parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me godina që variojnë nga 3 deri në 10 kate mbi tokë, si dhe një kat nëntokë.
Subjekti zhvillues është kompania ABA Blue Borgo, e cila e realizon projektin me statusin e investitorit strategjik.







