Mbrëmja hapëse e edicionit të tretë të Ferma VIP nuk kaloi pa tensione, teksa një vendim i papritur gjatë transmetimit live prishi qetësinë mes banorëve.
Gjatë prime-it, moderatorja Arbana Osmani bëri të ditur një rregull të ri, që erdhi si pasojë e zgjedhjes së njërit prej konkurrentëve: deri të hënën, të gjithë banorët do të ushqehen vetëm me fasule dhe fruta. Një sfidë që për disa u prit me kuriozitet, por për të tjerë rezultoi e papranueshme.
Reagimi më i fortë erdhi nga shkrimtarja Mimoza Ahmeti, e cila e shprehu hapur pakënaqësinë e saj. E revoltuar, ajo zgjodhi të tërhiqej nga dinamika e spektaklit në mënyrë demonstrative: u shtri në shtrat dhe mbuloi kokën me batanije, duke injoruar faktin që gjithçka po transmetohej live.

Në një bisedë me një tjetër banor, Ahmeti përdori tone ironike dhe të drejtpërdrejta:
“Secili me të vetën, diku do dalim. Unë do fle, nga inati. Duan spektakël? Dhe japin fasule… Mbulo kokën me batanije dhe mbaje spektaklin! Le të më shohë me dylbi… vetëm po nxora ndonjë cep këmbë… që natën e parë fasule!”

Reagimi i saj u përhap menjëherë në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës e kanë parë si një moment autentik dhe njëkohësisht komik.
Një gjë duket e qartë: Mimoza Ahmeti ka dhuruar një nga episodet më të komentuara të këtij sezoni, duke treguar që nuk ka ndërmend të ndryshojë për kamerat—por të mbetet thjesht vetvetja.








