Bashkia Tiranë zgjeron skemën e tarifave, goditet qiraja ditore

Taksë edhe për bujtinat

Strukturat akomoduese që funksionojnë me qira ditore si bujtinat dhe B&B-të do të trajtohen njësoj si hotelet dhe motelet kur vjen puna për tarifat vendore. Bashkia e Tiranës ka propozuar një projektvendim të ri që zgjeron listën e bizneseve që do të paguajnë taksa për infrastrukturën arsimore dhe tarifën e pastrimit, në varësi të xhiros vjetore.

Në dokumentin zyrtar kërkohet shtimi i B&B-ve dhe bujtinave në kategorinë “hotele/motele”, çka do të thotë se dhe ato do të detyrohen të paguajnë taksa fikse, pavarësisht madhësisë apo natyrës familjare të aktivitetit.

Ja si funksionon skema e re:

  • Për strukturat me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit, tarifa e pastrimit do të jetë 5,750 lekë/vit, njësoj si për hotelet.
  • Nëse xhiroja është nga 2 deri në 8 milionë lekë, tarifa rritet në 11,500 lekë plus 1,150 lekë për çdo dhomë.
  • Për bizneset mbi 8 milionë lekë xhiro, tarifa fikse shkon në 34,500 lekë + 1,725 lekë për dhomë.
  • Për VIP-at: tarifa shkon në 69,000 lekë/vit + 2,900 lekë për dhomë.

Ndryshimet prekin edhe taksën për infrastrukturën arsimore, që varion nga 2,500 lekë për bizneset e vogla, deri në 32,000 lekë për kategorinë VIP.

Veç strukturave akomoduese, projektvendimi prek edhe:

  • Depot farmaceutike, të cilat nuk do të trajtohen më si “biznese të vogla me pakicë”, por do të kategorizohen në “shitje me shumicë”.
  • Zgjerimi i listës së zejtarëve, ku përveç marangozëve dhe rrobaqepësve, përfshihen edhe bojaxhinjtë dhe hidraulikët, që nuk do të konsiderohen më si biznese ndërtimi.
  • Institucionet jopublike të edukimit dhe shëndetësisë që nuk kalojnë kufirin e TVSH-së do të përjashtohen nga kategorizimet që i fusnin gabimisht te bizneset VIP.

Kjo nismë e re e Bashkisë pritet të rëndojë mbi qindra bujtina dhe dhoma me qira ditore që funksionojnë me kapacitete minimale, shpesh familjare. Përkundër promovimit të turizmit rural dhe mikpritjes tradicionale, taksat e reja i trajtojnë këto struktura njësoj si hotelet me dhjetëra dhoma.

Publikuar nga Publik Media