Baxho reagon pas dhunës nga grabitësit: Për fat të mirë përfundova me disa qepje

Ish-sulmuesi i Italisë, Roberto Baxho, përjetoi momente tmerri mbrëmjen e së enjtes, gjatë kohës kur po ndiqte ndeshjen mes Italisë dhe Spanjës.

Pesë grabitës, u futën në shtëpinë e fituesit të “Topit të Artë”, ndërsa e lanë edhe të plagosur.

57-vjeçari mori një goditje me pjesën e pasme të pistoletës, që i shkaktoi çarje në kokë, ndërsa më pas grabitësit, e mbajtën peng në një dhomë së bashku me familjen e tij, për rreth 40 minuta.

Në një reagim të bërë nga spitali ku po merr ndihmën mjekësore, Baxho i falënderon të gjithë për mesazhet, ndërsa shton se për fat të mirë, nga dhuna pësoi vetëm disa qepje, pasi mund të kishte përfunduar më keq.

Si fillim, unë dhe familja ime dëshirojmë t’i falënderojmë të gjithë për dashurinë e madhe që kemi marrë. Faleminderit nga zemra. Në rrethana të tilla mund të ndodhë çdo gjë, por për fat të mirë dhuna që pësova më shkaktoi vetëm disa qepje, por edhe shumë frikë. Frikë që duhet ta kapërcejmë dhe lëmë pas.”, deklaroi Baxho për “Corriere”.

Në shtëpinë e ikonës italiane, grabitësit morën sende me vlerë si bizhuteri e ora të shtrenjta, por ende nuk dihet vlera e dëmit financiar që iu shkaktua nga kjo grabitje.

Publikuar nga Publik Media