Megjithëse Banka Botërore parashikon një ulje të lehtë të varfërisë në Shqipëri gjatë vitit 2025, shifrat e fundit tregojnë se fenomeni mbetet ende një plagë e thellë sociale: 20% e popullsisë shqiptare vazhdon të jetojë në varfëri, sipas raportit më të fundit të këtij institucioni financiar ndërkombëtar për vendin tonë.
Pas një rritjeje të ndjeshme të varfërisë në vitin 2020 për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pasojave të pandemisë COVID-19, Shqipëria ka njohur një tendencë rënëse. Nga 33.1% në vitin 2020, varfëria ra në 22.5% në vitin 2023, dhe pritet të bjerë më tej në 21.4% këtë vit, një ulje prej 1.1 pikë përqindjeje.
Por përtej statistikave, tabloja mbetet shqetësuese: Shqipëria ka ende një hendek të madh nga standardi global i mirëqenies, që konsiderohet të jetë 25 dollarë në ditë për person. Të ardhurat e shqiptarëve janë disa herë më të ulëta, dhe për ta arritur këtë standard, vendi duhet të trefishojë të ardhurat mesatare për frymë.
Pabarazia një tjetër plagë sociale
Edhe pse është vënë re një rënie e pabarazisë, Shqipëria vijon të renditet ndër vendet më të pabarabarta në Ballkanin Perëndimor, pas Malit të Zi. Kjo ndodh për shkak të ndarjes së pabarabartë të pasurisë dhe mundësive, që thellon hendekun mes shtresave sociale dhe përforcon ciklin e varfërisë.
Tregu i punës optimizëm me hije
Punësimi ka shënuar një përmirësim të lehtë, me një normë mesatare prej 68.6% në vitin 2024, falë një rritjeje të ndjeshme të punësimit tek meshkujt (+2%). Por për gratë, situata mbetet e zymtë: punësimi për to ka rënë me 0.3 pikë përqindje.
Ndërkohë, papunësia e përgjithshme ka rënë në 9.4%, por mes të rinjve të moshës 15-29 vjeç, papunësia mbetet alarmante – 18.9%. Pavarësisht rritjes së pagës mesatare me 9.8% gjatë vitit të fundit, sfida më e madhe mbetet cilësia dhe qëndrueshmëria e vendeve të punës.
Gra të arsimuara, por jashtë tregut të punës
Raporti i Bankës Botërore është i qartë: Shqipëria po humbet një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik për shkak të mospërfshirjes së grave dhe të rinjve të arsimuar në tregun e punës. Emigracioni dhe pasiviteti ekonomik janë ndër pengesat më të mëdha për zhvillimin afatgjatë të vendit.
“Vetëm mbyllja e hendekut gjinor në punësim do të sillte një rritje prej 12% të PBB-së për frymë në afatgjatë,” sugjeron Banka. Çlirimi i potencialit të grave përmes aksesit në arsim dhe punësim është, sipas saj, faktori kyç për ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria dhe për ta afruar me vendet me të ardhura të larta.
Shqipëria po ecën ngadalë drejt përmirësimit ekonomik, por përfitimet nuk janë të shpërndara në mënyrë të drejtë, dhe shumë qytetarë mbeten në margjinat e sistemit. Raporti i Bankës Botërore është një thirrje për ndërhyrje të thella strukturore, që fillojnë nga punësimi i grave, frenimi i emigracionit, përmirësimi i kushteve të punës, dhe mbi të gjitha, ndërtimi i një shteti që u jep mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve të tij.