Deputeti demokrat Agron Shehaj ka reaguar pas publikimit të dosjes së SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë rast si shembull tipik të mënyrës se si abuzohet me fondet publike në Shqipëri.
Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjete sociale, Shehaj thekson se kjo nuk është një çështje politike, por një histori reale korrupsioni që tregon si “tenderat e shtetit hapen dhe mbyllen me një SMS nga lart”.
“Kjo nuk është çështje akuzash politike, por e vërteta tronditëse se si vidhen shqiptarët. Tenderat e shtetit hapen dhe mbyllen me një SMS nga lart. Drejtorë që vrapojnë si skllevër sapo u bie telefoni. Dhe një zv.kryeministre që vendos për fatin e parave publike, sikur të ishte duke ndarë çifligun e saj”, – deklaron Shehaj.
Deputeti shton se rasti i Ballukut tregon se korrupsioni nuk është aksidental, por sistematik, dhe se pushteti po përdoret për pasurim personal e klientelist.







