Beleri : Shqipëria në krizë të sundimit të ligjit, drejtësia privilegj

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komisionit të Stabilizim-Asociimit, eurodeputeti Fredi Beleri ngriti shqetësimin për situatën e sundimit të ligjit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga problemet më të mëdha që po përjeton vendi sot. Ai theksoi se sundimi i ligjit është parimi themelor i çdo vendi demokratik dhe mungesa e tij përbën një krizë të thellë në shoqëri.

Beleri deklaroi se problemi nuk është vetëm institucional, por edhe social, pasi ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Ai iu referua emigrimit masiv, duke theksuar se qytetarët nuk largohen vetëm për arsye ekonomike, por sepse kërkojnë një shtet më të drejtë dhe funksional.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, eurodeputeti u shpreh se përpjekjet e dhjetë viteve të fundit kanë dështuar, pasi qeveria nuk ka arritur të sjellë rezultatet që qytetarët prisnin. Sipas tij, investimet financiare në drejtësi nuk janë përkthyer në ndryshime reale, për shkak të kapjes së sistemit nga të njëjtët individë që pretendojnë ta reformojnë atë.

Beleri kritikoi procesin e vettingut, duke thënë se ai ka dështuar të pastrojë sistemin nga mangësitë, dhe se përkundrazi, ka lënë në fuqi të njëjtat probleme që kanë ekzistuar që në fillim. Ai akuzoi qeverinë se përmes prokurorit publik dhe sistemit gjyqësor po mban nën presion kundërshtarët politikë, duke përmendur arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe burgosjen e Ilir Metës.

Gjithashtu, ai përmendi edhe arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe nënvizoi se ka çështje të tjera që lidhen me emrin e Erion Veliajt, të cilat sipas tij nuk janë bërë ende publike, por kanë lidhje me Kryeministrin.

Në përfundim të fjalës së tij, Beleri tha se sundimi i ligjit në Shqipëri është në krizë të thellë dhe deklaroi se nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e një sistemi ku drejtësia është privilegj i disa personave dhe jo e barabartë për të gjithë.

Beleri:  Sundimi i ligjit është parimi kryesor i çdo vendi demokratik, mungesa e këtij është problem i madh në Shqipëri sot.

Ky problem nuk është vetëm institucional, është një problem social, për shkak se dominon jetën e qytetarëve.

Deportimi në masë i qytetarëve nuk është që ata kërkojnë situatë më të mirë ekonomike, por ata duan edhe një shtet më të mirë.

Unë dëshiroj të përqendrohem sot në reformën e gjyqësorit.
Fatkeqësisht, gjatë 10 viteve të fundit, masat që u morën nga qeveria nuk kanë pasur efektin që qytetarët dëshirojnë të kenë, ato kanë qenë investime financiare por nuk kanë pasur rezultatet që ne kemi dëshiruar apo kemi pritur.

Pse? Sepse në Shqipëri fatkeqësisht sistemi i drejtësisë është i kapur, nga të njëjtët persona të cilët po përpiqen ta reformojnë atë.

Qeveria e tanishme përmes procesit të vettingut i cili kontrollon de facto gjyqtarët potencialë, e ka lënë sistemin me të njëjtat gabime apo mangësi që i ka pasur që në fillim.
Qeveria përmes prokurorit publik, sistemit gjyqësor, ka menaxhuar që të mbajë nën presion oponentët, zoti Berisha që është udhëheqësi i opozitës, zoti Meta është në burg.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës gjithashtu është arrestuar, ka pasur edhe gjëra të tjera që nuk kanë dalë në lidhje me zotin Veliaj dhe ato kanë lidhje me Kryeministrin e vendit.

Në përfundim, sundimi i së drejtës në Shqipëri është në krizë, prandaj unë nuk dua të vazhdoj më, drejtësia nuk mund të jetë një privilegj i vetëm disa personave por duhet të jetë për të gjithë.

Publikuar nga Publik Media