Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar revokimin e të gjithë vëzhguesve, për KZAZ-në nr. 27, në Vorë. Ky vendim vjen pas sherrit që Flamur Noka pati me disa qytetarë, pasi pretendoi se janë pajisur me bexhe vëzhguesi bandat.
KQZ thote se revokimi është bërë për të gjithë, më përjashtim të vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave.
Vendimi i KQZ
REVOKIMIN E AKREDITIMIT TË VËZHGUESVE TË KZAZ-SË NR. 27 BASHKIA VORË, QARKU TIRANË, PËR ZGJEDHJET PËR KUVEND, TË DATËS 11 MAJ 2025
Në mbështetje të neneve 6, 7, 19, pikat 1, shkronja “n”, dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Vendimit nr. 23 date 1.2.2023, “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, në zgjedhje”,
VENDOS:
- Revokimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve, për KZAZ-në nr. 27, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, të lëshuara për KZAZ-në, KQV-të dhe VNV-të, përveç vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave..
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.
ÇFARË NDODHI NË MESDITE
Deputeti i PD-së, Flamur Noka është përplasur me qytetarët jashtë një qendre votimi në Vorë, teksa ka hedhur akuza se “e gjithë banda e Xhabaftëve e pajisur me bexhe të KQZ si vëzhgues janë instaluar tek shkollat dhe po kontrollojnë çdo gjë në procesin e votimit”.
Por akuzat e Nokës kanë sjellë tensione mes tij dhe qytetarëve që i kanë hedhur poshtë deklaratat e deputetit demokrat.
“Jam unë Xhabaft çfarë ka këtu, po shkojnë të votoj. Po ti çdo këtu”, iu drejtua i irrtuar qytetari.
Në sherr u përfshinë edhe dy qytetarë të tjerë jashtë qendrës së votimit, ku njëri iu drejtua Nokës: “Pse më kërcënon mua unë jam qytetar i lirë, për çfarë më kërcënon? Kemi vrarë njerëz? Po vij të votoj, më the kriminel”.
“Ta tregoj unë”, iu përgjigj deputeti i PD-së.