Berisha e quan Ramën gjarpër: Në Shqipëri, ju do t’i shtypni kokën gjarprit Edi Rama

Fati i madh në SHBA, Donald Trump i shtypi kokën gjarprit!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë nr. 11 në Laprakë, ku theksoi se beteja e tij është të rikthejë Shqipërinë në “moshën e rinisë”. Ai premtoi mbështetje për të rinjtë me sigurime shoqërore të paguara nga shteti dhe grante për çiftet e reja.

Berisha akuzoi qeverinë aktuale për agresion ndaj familjes tradicionale dhe identitetit njerëzor. Ai u zotua për transformimin e Shqipërisë në një qendër rajonale të teknologjisë dhe superfuqi energjetike. Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në dy javët e fundit të fushatës për të “shpëtuar Shqipërinë”.

FJALA E BERISHËS:

E gjithë beteja jonë është ta kthejmë kombin në moshën e rinisë së tij.
Kombi në moshën e rinisë nuk kthehet me këta të rinj që vetëm ikin.
Ndaj dhe u garantoj se do bëjmë çdo përpjekje që i ri të shkollohet, të punësohet në Shqipëri duke paguar qeveria 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri që punësohet.
Një grant prej 30 mijë eurosh për çdo çati të çifteve të reja.
Gratë dhe vajzat do kenë mbështetje të fuqishme për bizneset e tyre.
Ne do bëjmë gjithçka që familja shqiptare të forcohet.
Familja shqiptare dhe familja në tërësi, në këto vitet e fundit, iu nënshtruan një agresioni të paparë të ekstremizmit të majtë marksist dhe post-marksist.
Ju jeni dëshmitarë se si filluan në Shqipëri në tekstet e shkollës Prindi 1 dhe Prindi 2. U shua nëna dhe babai.
Erdhi ligji në parlament për fermat e grave që do lindin fëmijë të askujt.
Një agresion i paparë në kohëra kundër gjinisë njerëzore. Kundër identitetit të njeriut.
Fati i madh në SHBA, Donald Trump i shtypi kokën gjarprit.
Në Shqipëri, ju do t’i shtypni kokën gjarprit Edi Rama.
Shqipëria Madhështore është zotimi ynë.
Shqipëria është vendi i pasurive të pamasa.
Prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim do jetë motoja jonë.
Teknologjitë më të reja, internet 3, inteligjenca artificiale, kriptomonedhat, dataqendrat do e shndërrojnë Shqipërinë në një epiqendër të fuqishme rajonale të teknologjisë së lartë.
Shqipëria superfuqi energjetike në rajon.
Jam zotuar dhe zotohem, çatitë e shqiptarëve nga jugu në veri do jenë me panele diellore, për të gjithë ata që duan. Qeveria do i subvencionojë.
Miqtë e mi, dy javë kanë mbetur.
Le të jenë këto dy javët e jetës tuaj.
Dy javët e misionit tuaj, në shërbim të dinjitetit tuaj, të mirëqenies tuaj.
Në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë.
Të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo narkodiktaturë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!

Publikuar nga Publik Media