Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë fjalimit nnë Kongresin e Partive Popullore Europiane (PPE), drejtoi akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur Shqipërinë “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”.
Berisha falënderoi drejtuesit e PPE-së për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe për rezolutën që sipas tij i shërben kauzave të drejta të opozitës shqiptare. Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për përfaqësues të partive simotra në Gjermani dhe Itali, për solidaritetin që kanë treguar në periudha të vështira.
Duke e përshkruar situatën në vend si alarmante, Berisha deklaroi se “gjithë pushtetet janë përqendruar në duart e një njeriu të vetëm”, ndërsa akuzoi qeverinë për manipulim masiv të votave, intimidim të qytetarëve dhe eliminim të opozitës nga jeta politike. Ai përmendi arrestimin e tre liderëve opozitarë, ndër ta edhe Fredi Belerin, që sipas tij u ndëshkua politikisht për shkak të refuzimit të një kërkese të familjes Rama.
Në vijim të akuzave, Berisha e lidh kryeministrin me korrupsion ndërkombëtar, duke përmendur rastin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, dhe përfshirjen e organizatave kriminale që veprojnë nën mbështetjen e qeverisë. Ai u shpreh se vendi po zbrazet, duke theksuar emigrimin masiv dhe nivelin më të ulët të lindshmërisë në botë, sipas OKB-së.
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Berisha denoncoi atë që e quajti “makineri zgjedhore” të Ramës, duke përfshirë shpërndarjen e dhuratave për pensionistët dhe legalizimin masiv të kanabisit si formë blerjeje votash.
“Me ndihmën tuaj, Partia Demokratike do të përmbysë këtë diktaturë moderne, ashtu siç përmbysi komunizmin 32 vite më parë”, përfundoi Berisha, duke marrë duartrokitjet e të pranishmëve në kongresin e PPE-së.
Fjala e plotë e Berishës:
Z. President Weber, zonja dhe zotërinj, së pari dëshiroj të falënderoj ju, z. President, dhe presidentët e EPP për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike të Shqipërisë me një rezolutë shumë të vlefshme në mbështetje të kauzave të saj të drejta. Por dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj gjithashtu presidentin e IDU, Stefan Harper, dhe presidentin e CDI, Andres Pastrana, për të njëjtën mbështetje që kanë treguar ndaj Partisë Demokratike dhe kauzave të saj.
Dua të falënderoj gjithashtu miqtë nga CDU, Elmar Brok, Peter Beyer, Doris Pack, miqtë nga Forza Italia në Itali, Battilocchio, Erika Mazzetti, etj., të cilët kanë qenë pranë nesh në disa ditë të vështira.
Zonja dhe zotërinj, Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë.
Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe kryen plaçkitje, sillet në vend si një diktator i mirëfilltë. Ai kontrollon të gjithë ekonominë. Kontrollon të gjithë median. Në fund, ai bllokoi TikTok-un, duke e bërë vendin të duket njësoj me Kabulin dhe Teheranin.
Si Zayed i Tunizisë, në vit elektoral, ai zgjodhi të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës, vetëm sepse ishin kundërshtarë politikë – dhe pa asnjë, asnjë, asnjë provë kriminale. Ai u mori mandatin drejtuesve të opozitës. U mori mandatin kryetarëve të bashkive të opozitës, siç është rasti i Fredi Belerit, i cili sot është eurodeputet, sepse arsyeja e vetme ishte që Beleri nuk pranoi t’i jepte tokën që nuk i përket familjes Rama.
Zonja dhe zotërinj, përveç kësaj, diktatori tiranik, narkodiktatori, ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha atij 225,000 dollarë, por ju siguroj që nuk ishte i vetmi që u ble kundër opozitës. Dokumente, mijëra dokumente nga vende partnere, provojnë sot se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët në vendin tim.
Në zyrën e kryeministrit, ka një këshilltar me detyrë të koordinojë punën e organizatave kriminale – nga kartelat e Sinaloas në Meksikë, që tani drejtohen nga vëllezër shqiptarë, te bandat brenda vendit.
Sipas Eurostat, nga viti 2014 deri në 2023, 1,099,000 shqiptarë kanë emigruar në zonën Shengen. Si pasojë, sipas OKB-së, Shqipëria ka sot indeksin më të ulët të lindshmërisë në botë. Përveç kësaj, vendi është një nga eksportuesit kryesorë të krimit në Europë.
Më 11 maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këto zgjedhje, përveç të gjitha atyre që përmenda më sipër, ai ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për 800,000 pensionistë, dhe ka dhënë 100 licenca për kultivim kanabisi me moton “Kanabis për Vota”. Ai e ka kthyer narkoshtetin e tij në një makineri zgjedhore.
Por, në një diktaturë, e vetmja mundësi është të mos dorëzohesh, por të luftosh për ta përmbysur atë. Me ndihmën tuaj, miq të dashur, ju siguroj se Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila përmbysi 32 vite më parë diktaturën më staliniste në Europë, do të përmbysë edhe diktaturën e parë dhe të vetme narkotike në Europë, atë të Edi Ramës.
Ju faleminderit shumë!