Do ulim taksat dhe çmimin e energjisë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar ndërhyrje të menjëhershme për shpëtimin e ekonomisë shqiptare, gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot. Berisha akuzoi qeverinë aktuale për dëmtimin e eksporteve dhe ekonomisë për shkak të ndikimit të narkoeuros dhe premtoi masa drastike në rast se PD do të vijë në pushtet.
Krijimi i bordit të fiksimit të Euros
Berisha propozoi krijimin e një bordi të posaçëm për fiksimin e kursit të euros, duke premtuar kompensim të plotë për eksportuesit për humbjet që shkaktohen nga rënia e vlerës së euros.
“Nuk mund të lejojmë që narkoeuro të shkatërrojë ekonominë shqiptare. Nëse euro në treg është 100 lekë, ndërsa bordi e fiksion në 138 lekë, diferenca prej 38 lekësh do t’i kompensohet eksportuesve,” tha ai.
Ulja e taksave dhe çmimit të energjisë
Berisha premtoi gjithashtu ulje drastike të taksave për sipërmarrjet eksportuese, heqjen e TVSH-së për energjinë dhe naftën, si dhe sigurimin e energjisë me çmime të reduktuara për këtë sektor.
“Çmimi i energjisë për eksportet do jetë njëshifror, jo dyshifror. Kjo do ndihmojë të gjitha sipërmarrjet që sot po vuajnë nën presionin e lartë fiskal dhe burokratik,” shtoi ai.
Masa për lehtësimin e sipërmarrjes
Në planin e tij, Berisha njoftoi krijimin e një zyre të mbrojtjes së eksporteve, që do të luftojë arbitraritetin dhe presionet mafioze ndaj eksportuesve. Ai gjithashtu propozoi që shteti të mbulojë shpenzimet doganore dhe të ofrojë lehtësi në tatimet dhe kontributet për sigurimet shoqërore.
Kritika ndaj qeverisë
Berisha akuzoi qeverinë për braktisjen e sektorit eksportues, duke theksuar rëndësinë e tij si burimi kryesor i punësimit në industri. “Flitet pafund për turizmin, por askush nuk përmend eksportet që mbajnë mbi 100 mijë vende pune. Shqipëria mund të jetë një eksportues i fuqishëm, por qeveria aktuale po shkatërron këtë mundësi,” deklaroi ai.
Sipas Berishës, këto masa do të ndihmojnë në rikthimin e interesit të sipërmarrësve vendas dhe të huaj për të investuar dhe prodhuar në Shqipëri, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit ekonomik të vendit.