Berisha publikon pamjet: Komisionerët votojnë vetë në kuti

Kreu i PD Sali Berisha, publikoi sot në një konferencë për shtyp pamje që i cilësoi si dëshmi tronditëse të manipulimit të votave gjatë zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i quajti një “farsë elektorale e turpshme” nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Në pamjet e publikuara nga Berisha, sipas tij, komisionerë të veshur me uniforma zyrtare shihen duke votuar në emër të qytetarëve, duke marrë fletë të shumta votimi, duke kontrolluar votën para hedhjes në kuti dhe duke drejtuar votuesit në dhomën e fshehtë.

Berisha tha se pamjet janë tashmë në duart e publikut dhe institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se “edhe Europa i pa këto skena”. Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar kundër asaj që e quajti një “narkodiktaturë e bazuar në mashtrimin elektoral”.

“Tani, dua të njoh shqiptarët me videon që shokoi audiencën dhe është dëshmi e një përpjekje të jashtëzakonshme që po bën opozita në luftën kundër aktualisht, armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve, që ka emrin Edi Rama dhe farsës së tij elektorale.
Edhe njëherë, për çdo qytetar që vlerëson lirinë, vlerëson votën dhe fjalën e lirë si themele, të lirive të tij, ai që të merr këto, është armiku yt me i egër pavarësisht nga kombësia, pavarësisht nga shtetësia, pavarësisht se çfarë është, ai është armiku numër 1 i yti me të cilin duhet të përballesh.
Tani, imagjinoni pak kjo, është farsa.
Janë me titra, flet vetë, komisioner ai po voton. Krimineli elektoral me uniformë komisioneri e nxjerr prap votën.
Nuk ndalet, prap votë.
Komisineri kontrollon fletën e votimit, para se ai ta hedhë në kutinë e votimit.
Një person merr 4 fletë votimi. E patë. Përsëri. Ky është fytyra e votimit.
Aty rri dhe i udhëzon, komionerja.
Gjatë ditës komisionerët votojnë në emër të zgjedhësve.
Nuk ka sekret më votën, të gjitha i kontrollon komisioneri ose voton vetë komisioneri.
Komisioneri në dhomë të fshehtë duke orientuar.
Këto i keni parë ju, por i pa dhe Europa.
E quajta të domosdoshme të njoh shqiptarët me përpjekjen e jashtëzakonshme që ne po bëjmë për të dëshmuar atyre dhe botës, farsën e turpshme të 11 majit të narkokryeministrit, apo narkodiktatorit Edi Rama dhe shtetit të tij të drogës, narkoshtetit të tij.
Nuk mundet kurrë ndërgjegjja e një njeriu të pranojë këtë farsë. Por sido qoftë ne e bëjmë këtë si detyrim. Natyrisht përgjigja dhe zgjidhja është vetëm tek shqiptarët, në dorën e tyre.
Do të tolerojnë ata një poshtërim të tillë, do të tolerojnë ata një qeveri legjitimiteti i të cilës nuk ekziston, pushteti i të cilës bazohet në një farsë të turpshme elektorale apo do të ngrihen ata për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si njerëz të qytetëruar.
Unë besoj tek e dyta dhe këtu qëndron Partia Demokratike e cila kurrë nuk do ti pranojë këto zgjedhje”, ka deklaruar ai.

Publikuar nga Publik Media