Berisha sfidon Ramën nga Pogradeci: Hajde të përballemi!

Ka porositur të vetët të flasin për moshën time

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë sot në prezantimin e kandidatëve të PD për deputetë në Pogradec, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Në fjalën e tij, Berisha iu përgjigj deklaratave të mazhorancës dhe Partisë Socialiste që kanë vënë në qendër të sulmeve të tyre moshën e tij. Ai theksoi se politikanët duhet të gjykohen për veprat dhe aftësitë, jo për moshën.

“Rama ka porositur lakejtë e tij të përqendrojnë debatin te mosha e Sali Berishës. Ronald Reagan ka thënë se nuk donte ta përdorte moshën e tij si avantazh ndaj kundërshtarit. Meqë përmendin moshën, i them: hajde këtu të përballemi në të gjitha fushat, që ta shohim çfarë dijesh ke dhe cila është memorja jote që shkruan në dorë për gjërat që nuk i mban mend,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se çdo lider politik duhet të vlerësohet mbi bazën e rezultateve dhe angazhimit të tij ndaj qytetarëve, duke akuzuar kryeministrin Rama se po shmang diskutimin për problemet reale të vendit.

Publikuar nga Publik Media