A u falsifikuan dokumentet për pasuritë e familjes Koleka?
Një hetim me dimension të thellë institucional ka nisur zyrtarisht nga Byroja Kombëtare e Hetimit për të kontrolluar dhe verifikuar manipulimet e dyshuara me dokumentet arkivore dhe veprimet e dyshimta të kthimit dhe kompensimit të pronave, në mënyrë të veçantë pasuritë me sipërfaqe të mëdha në zonat bregdetare të Shqipërisë.
Sipas informacioneve hetimi lidhet ngushtë me 837 raste falsifikimesh të rënda në Arkivën e Shtetit dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave, nëpërmjet të cilave janë përfituar toka shtetërore në zonat më të lakmuara bregdetare, përmes dokumenteve të fabrikuara, të njohura më pas si “origjinale” nga strukturat shtetërore, në shkelje të ligjit.
Hetimi vjen si rezultat i disa kallëzimeve penale, si dhe denoncimeve të qytetarëve e pronarëve të ligjshëm që kanë parë se pronat e tyre janë grabitur me vendime që bazohen në dokumente të dala nga Arkiva, por të falsifikuara me porosi.
Të dyshuarit: Ardit Bido dhe Erjon Çaka në shënjestër
Sipas burimeve, drejtuesit aktualë dhe të mëparshëm të Arkivës së Shtetit dhe ATP-së, respektivisht Ardit Bido (sot deputet i PS) dhe Erjon Çaka, janë subjekt i verifikimeve të thelluara.
Data 26 maj 2025 ishte afati i fundit që BKH u kishte lënë institucioneve për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, por përgjigjet kanë qenë zhgënjyese:
– Arkiva është justifikuar se Bido ka qenë i pezulluar për shkak të kandidimit;
– ATP kërkoi më shumë kohë, përmes drejtorit të ri.
BKH nuk do të presë më. Një zbarkim fizik në zyrat e të dy institucioneve është autorizuar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, për të sekuestruar dokumentacionin që dyshohet të jetë zhdukur, zëvendësuar ose manipuluar.
Manipulimi i pronave me dokumente të prodhuara pas ’90-ës
Sipas të dhënave, në shumë raste janë futur në Arkivë dokumente false, të krijuara pas vitit 2000, por të regjistruara në mikrofilmime si dokumente para viteve ’45.
Pikërisht këto dokumente janë përdorur nga ATP për të njohur prona në emër të personave të lidhur me pushtetin, ndërkohë që pronarët e ligjshëm janë nxjerrë jashtë loje përmes pengesave burokratike dhe vendimeve të paarsyeshme administrative.
Vetëm në zonat Vlorë, Himarë, Sarandë, Durrës dhe Tiranë, janë regjistruar më shumë se 3860 hektarë prona të rikthyera në mënyrë të dyshimtë në vitet 2021-2024. Në shumë raste, prona shtetërore e bregdetare u kthye në bazë të dokumenteve që më parë nuk ekzistonin në regjistra, por që u futën në mënyrë të çuditshme në Arkivë pas vitit 2000.
Rasti “Koleka”: 22.4 hektarë në Vuno për familjarët e Edi Ramës
Objekt hetimi i veçantë është denoncimi për përfitimin prej 22.4 hektarësh pyje në zonën bregdetare të Vuno, të përfituara nga pasardhës të familjes “Koleka”, të afërm të kryeministrit Edi Rama.
Dokumentet e këtyre pronave janë futur në Arkivën e Shtetit si të “autentikuara”, por me shumë të panjohura:
– A ishin këto dokumente reale apo të prodhuara post-faktum?
– Pse u njohën menjëherë nga ATP me vendim kthimi dhe regjistrimi?
Ish-drejtori i Arkivës, Ardit Bido, është përpjekur të heqë përgjegjësinë nga vetja duke deklaruar se “dokumentet janë futur në vitin 2001 me urdhër të Ilir Metës”. Por në mungesë të skedave të regjistrimit dhe zinxhirit arkivor, mbi këtë dosje rëndon dyshimi i qartë për falsifikim institucional.
Pas skandalit publik, më 20 qershor 2024, kryeministri Edi Rama shkarkoi në heshtje drejtorin e ATP-së, Geraldo Durda, që kishte nënshkruar vendimin për njohjen e pronës. Por nuk u ngrit asnjë kallëzim penal. Ndërsa pronat u regjistruan përfundimisht./Pamfleti