Blendi Gonxhe kërkon Bashkinë e Tiranës?

Me 22 mijë vota dhe një fushatë preferenciale që ndot zgjedhjet

Nga rezultatet paraprake të votave preferenciale në Qarkun Tiranë, del një fakt që meriton më shumë se një analizë elektorale: Ministri Blendi Gonxhja ka marrë mbi 22.000 vota personale, një shifër që e vendos në krye të listës së Partisë Socialiste për Tiranën. Por më shumë se një tregues popullariteti, kjo shifër ngre pyetje të thella mbi standardet e zgjedhjeve, etikën politike dhe synimet e ardhshme të Gonxhes.

Në këtë garë preferenciale u përfshinë edhe dy ministra të tjerë: Ervin Hoxha (19.000 vota) dhe Anila Denaj (8.700 vota). Ndërsa Denaj mbeti në një kufi më realist për një politikane me eksperiencë, Gonxhja dhe Hoxha shpërthyen në shifra që nuk përputhen me profilin e tyre publik apo pesha reale politike në terren.

Le t’i marrim me radhë:

Blendi Gonxhja, i njohur më shumë për zyrat e DPSHTRR-së sesa për fjalime në Kuvend apo takime me qytetarët, rezulton me vota të shpërndara kapilarisht në të gjithë territorin e Tiranës. Në çdo kuti. Në çdo zonë. Me një uniformitet që nuk tregon simpati qytetare, por strukturë të mobilizuar shtetërore.

E njëjta skemë me Ervin Hoxhën  ministër i sapoardhur, me katër muaj në detyrë, që mori më shumë vota sesa politikanë me vite të tëra në PS. Kush e njeh Ervin Hoxhën në terren? Çfarë kontributeje ka në partinë socialiste, që elektorati i majtë i dha kaq masivisht votën preferenciale? Pyetjet janë të thjeshta, por përgjigjet të pakëndshme: votat janë rezultat presioni, ndikimi dhe mobilizimi nga lart poshtë – jo nga qytetarët lart te përfaqësuesit e tyre.

Abuzimi me administratën publike dhe ndikimi mbi vartësit në ministri, drejtoritë vartëse, institucionet e varura, deri tek kompani private që kanë marrëdhënie kontraktuale me shtetin, janë të gjitha sinjale të qarta se Gonxhja dhe Hoxha e përdorën postin e ministrit për të ndërtuar një fushatë personale preferenciale, duke ndotur garën e listës së hapur dhe deformuar procesin zgjedhor.

Kjo nuk është vetëm çështje morali politik, por shkelje etike që minon besimin tek procesi zgjedhor dhe vetë partia që i kandidon. Socialistët historikë si Erjon Braçe dhe Fatmir Xhafaj, me një kontribut të gjatë në PS, u vendosën në pozita të vështira përballë një gare që nuk ishte më mes individëve, por mes ministrive.

Por le të kalojmë në planin e dytë, atë që shumëkush e lexon pas këtij mobilizimi të paprecedentë: Blendi Gonxhja po përgatit terrenin për një kandidaturë për Bashkinë e Tiranës. Me 22.000 vota në Kuvend, ai tenton të ndërtojë një “legjitimitet” për të pretenduar postin e kryebashkiakut. Por në Bashkinë e Tiranës nuk mjaftojnë 22 mijë vota – duhen mbi 150 mijë. Dhe për këtë, duhen ide, besim publik, integritet dhe një profil politik që nuk ndërtohet duke shfrytëzuar institucionet publike si makina votash.

Nëse Gonxhja mendon se zgjedhjet parlamentare janë primaret e Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale, është në rrugë të gabuar. Sepse votat e marra përmes ndikimit institucional nuk përkthehen në vota reale kur vjen koha për të kërkuar një post me përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

Sot Gonxhja është në festë. Nesër do të duhet të japë llogari. Dhe kur të vijë koha të kërkojë votën si kandidat për Bashkinë Tiranë, atëherë do t’i kthehen mbrapsht jo vetëm llogaritë, por edhe mosmirënjohja ndaj shokëve që i la pas në listë për të ndjekur ambicien personale.

Blendi Gonxhja duhet të kuptojë që një rezultat i fryrë nuk është fuqi politike, por një bllof që mund të shpërthejë në fytyrë. Përballë një publiku të lodhur nga manipulimet, dhe një partie që e di fare mirë kush është kush në realitet, ambicia pa etikë është e dënuar të dështojë.

Në fund, nëse ka një gjë që duhet të bëjë Gonxhja, është të kërkojë falje për dëmin që i ka bërë procesit zgjedhor, kolegëve të tij në listë dhe vetë Partisë Socialiste. Për pjesën tjetër ne bëjmë sehir. Por nuk harrojmë.

Publikuar nga Publik Media