Bllokohen mbi 7 ton djathë, AKU mbyll aktivitetin e një baxhoje

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

baxho e bllokuar aku

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka ndërhyrë ndaj një subjekti që ushtronte aktivitet përpunimi bulmeti, duke zbuluar shkelje serioze të standardeve higjieno-sanitare. Gjatë inspektimit në baxhon në pronësi të subjektit “Nail Idrizi”, u konstatuan problematika që cenojnë sigurinë ushqimore.

Si rezultat i kontrollit, u vendos bllokimi i menjëhershëm i një sasie prej 7,196 kilogramësh djathë të bardhë lope, i cili nuk përmbushte kriteret për tregtim. Paralelisht, aktiviteti i subjektit u pezullua deri në plotësimin e kushteve të kërkuara nga legjislacioni në fuqi.

Për shkeljet e evidentuara, autoritetet vendosën edhe masa administrative financiare. Konkretisht, u aplikua një gjobë prej 300,000 lekësh për mungesë të standardeve të higjienës, si dhe një tjetër prej 100,000 lekësh për mosrespektim të kërkesave të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se kontrollet në terren do të vijojnë me intensitet të shtuar, me synim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Publikuar nga Publik Media