Një vendim i fortë nga autoritetet britanike i ka mbyllur derën reperit amerikan Kanye West për të hyrë në Mbretëria e Bashkuar, vetëm pak kohë pasi ai ishte shpallur një nga emrat kryesorë të Wireless Festival.
Sipas Home Office, artisti kishte aplikuar për një Autorizim Elektronik Udhëtimi (ETA), por kërkesa e tij është refuzuar me argumentin se prania e tij nuk përputhet me interesin publik.
Vendimi lidhet drejtpërdrejt me deklaratat e tij të viteve të fundit, të cilat kanë shkaktuar polemika të forta për përmbajtje antisemite, raciste dhe madje pro-naziste. Këto qëndrime kanë sjellë reagime të ashpra nga opinioni publik dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke e bërë praninë e tij në territorin britanik një çështje të ndjeshme.
Vetë Kanye West ka reaguar duke shprehur gatishmëri për dialog, madje duke propozuar një takim me përfaqësues të komunitetit hebre në Britani për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Nga ana tjetër, Board of Deputies of British Jews ka sinjalizuar hapje për një takim, por me kusht që artisti të tërhiqet nga performancat e planifikuara në Wireless Festival.
Ky zhvillim hedh pikëpyetje mbi organizimin e festivalit dhe listën e artistëve pjesëmarrës, ndërsa çështja vijon të mbetet në qendër të debatit publik dhe në industrinë muzikore.







