Censusi 2023: Shqipëria po braktiset – vetëm Tirana në rritje, pjesa tjetër e vendit po zbrazet frikshëm!

 

Shqipëria po përjeton një rënie dramatike të popullsisë, me një shpërndarje gjithnjë e më të përqendruar në Tiranë dhe boshatisje të frikshme të qarqeve të tjera. Sipas të dhënave zyrtare nga Censusi i vitit 2023, popullsia e vendit ka rënë me 14.8% krahasuar me vitin 2011, duke zbritur në 2,402,113 banorë. Rënia është më e madhe se në çdo periudhë të mëparshme të tranzicionit.

Ndërmjet viteve 2011 dhe 2023, të gjitha qarqet e vendit kanë pësuar rënie të popullsisë, përveç Tiranës, e cila ka shënuar një rritje modeste prej vetëm 1.2%. Në kushte normale kjo do të ishte një shifër minimale, por në raport me zhvendosjen e madhe të popullsisë, kjo rritje vjen si pasojë direkte e migrimit të brendshëm.

Shkodra dhe Kukësi janë qarqet që kanë pësuar rënien më të madhe në përqindje – përkatësisht 28.3% dhe 27.3%, ndërsa në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë humbur më shumë banorë. Edhe qarqe të tjera si Dibra, Gjirokastra apo Korça kanë pësuar ulje të ndjeshme.

Kjo zhvendosje ka sjellë një përqendrim të frikshëm në Tiranë: nga 26.8% e popullsisë në 2011, tashmë 31.6% e gjithë shqiptarëve jetojnë në Tiranë. Kjo do të thotë se më shumë se 1 në 3 shqiptarë jeton në një qytet, ndërsa vendi po boshatiset nga veriu në jug. Pas Tiranës vjen Fieri me 10% të popullsisë dhe Elbasani me 9.7%, ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjet më të ulëta – përkatësisht 2.6% dhe 2.5%.

Rënia e popullsisë është rezultat i emigracionit masiv. Gjatë periudhës 2011-2021, Shqipëria kishte një shtesë natyrore pozitive me mbi 88 mijë lindje më shumë se vdekje, por pavarësisht kësaj, vendi humbi rreth 420 mijë persona nga emigracioni. Nëse ky fenomen nuk do të ekzistonte, Shqipëria sot do të kishte rreth 2.9 milionë banorë.

Përveç zhdukjes numerike, vendi po përballet edhe me një plakje të shpejtë të popullsisë. Mosha mesatare e shqiptarëve ka arritur në 42.5 vjeç, duke u rritur me 7 vite që nga viti 2011. Kjo tregon jo vetëm largimin e të rinjve, por edhe mungesën e politikave për të frenuar zbrazjen dhe plakjen e vendit.

Censusi 2023 ka konfirmuar frikën që ishte kthyer në realitet prej vitesh: Shqipëria po zhduket në heshtje, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në një metropol të stërngarkuar, ndërsa pjesa tjetër e territorit kthehet në zona të zbrazura dhe të harruara.

Publikuar nga Publik Media