“Latiti” që po çmend Edi Ramën

Bledian Koka

Edi Rama po përpiqet me çdo kusht të tërheqë vëmendjen e strategut amerikan të Partisë Demokratike, Chris LaCivita. Kur e quan “Latif”, në përpjekje për ta bërë qesharak, Rama në fakt po synon të minimizojë një nga lëvizjet më të forta dhe surprizuese të lidershipit të opozitës në këtë fushatë elektorale.

Por a është vetëm kaq?

Edi e di shumë mirë se kush është Chris LaCivita. Por më e rëndësishmja është se Chris e di edhe më mirë se çfarë përfaqëson Edi Rama. Me provokimet e përditshme ndaj strategut amerikan, Rama po teston deri ku shkon fuqia reale e një prej dy arkitektëve të fitores së Donald Trump në SHBA.

Artikulimi i drejtpërdrejtë dhe pa komplekse i LaCivita në daljet publike të fushatës së PD-së, është një shqetësim i qartë për Ramën. Ai po përpiqet të lexojë ndikimin real që po vjen këtë herë nga SHBA – dhe nuk po i vjen për mirë.

Në mungesë të kontaktit që dikur kishte brenda Ambasadës Amerikane në Tiranë, Rama ka një të vërtetë të vetme përballë syve: sot, “ambasadori” de-fakto i SHBA në Tiranë është Chris LaCivita – dhe, për dreq, këtë herë ai nuk është në krahun e tij!

Chris LaCivita nuk është thjesht strateg. Ai është sot edhe dëshmitar i përditshëm i autokracisë që Edi Rama ka ndërtuar. Dhe ai e di mirë që Rama është një nga “kukullat” më të rëndësishme të George Soros në Ballkan.

Ndoshta për këtë arsye, LaCivita kujtoi pak ditë më parë në emisionin “Opinion” faktin që Edi Rama ka deklaruar dy herë se do të udhëtojë në SHBA – dhe nuk shkoi. Edhe pse u tha shkarazi, ajo ishte një tjetër “silur” e lëshuar me shumë finesë.

Fakti që Edi Rama ka arritur deri në pikën që të prodhojë video të rreme për ta krahasuar LaCivitan me Vullnet Sinën, nuk është domosdoshmërisht një lajm i keq. Përkundrazi – është një shenjë paniku.

P.S. Këshilla e vetme për Ramën në këtë pikë: sa herë të ketë dyshime për Chris LaCivitan, le t’i hedhë një sy fotos kryesore të tij në profilin “X” – aty ndoshta do kuptojë më shumë sesa me të gjithë video-montazhet e tij të zakonshme.

Publikuar nga Publik Media