Çifti Clooney përballë Trumpit: Të famshmit kundër pushtetitÇifti Clooney përballë Trumpit: Të famshmit kundër pushtetit

Amal Clooney është avokatja më e njohur në botë për të drejtat e njeriut. A mund të bëhet ajo kundërshtare e administratës Trump? Një sërë avokatësh, akademikësh dhe ish-gjykatësish britanikë janë informuar nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe për rrezikun që të preken nga sanksione, t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe t’u bllokohen pasuritë, sepse kanë qenë pjesë e një grupi ndërkombëtar ekspertësh që mbështetën në mënyrë unanime urdhër-arrestet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare — për krime lufte në Gaza — kundër kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe kundër tre liderëve të Hamasit (të cilët ndërkohë kanë ndërruar jetë).Gazeta e parë që e dha këtë lajm, The Observer, e konsideron të pamundur që Amal Clooney të sanksionohet, sepse bashkëshorti i saj, aktori George Clooney, është shtetas amerikan dhe ka të drejtë rezidence në SHBA.Por ka një “por”. Aktor i angazhuar në kampin e Partisë Demokrate, fitues i çmimit Oscar, George Clooney e ka kritikuar presidentin, i cili iu përgjigj menjëherë në rrjetin e tij social Truth: «Është një yll i kategorisë së dytë dhe një politolog i dështuar». Tani është radha e bashkëshortes së tij, gjysmës së njërit prej çifteve më “cool” në nivel global.Amal Clooney, 47 vjeçe, e lindur në Liban dhe e rritur në Britaninë e Madhe, ku mban shtetësinë britanike, ka ndjekur çështje të profilit më të lartë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfaqësuar për shembull viktimat e ISIS-it në Irak dhe Siri. Disa nga njerëzit që ajo ka mbrojtur kanë fituar Çmimin Nobel për Paqe, si gazetarja filipinase Maria Ressa dhe e reja jazidase Nadia Murad, e cila pa nënën e saj të vritej dhe u detyrua për skllavëri seksuale nga ISIS-i.Këshilli i Sigurimit miratoi në vitin 2017 një masë që Amal kishte ndihmuar për ta promovuar: krijimin e një ekipi të Kombeve të Bashkuara për të mbledhur dhe ruajtur provat e krimeve të mundshme të kryera nga Shteti Islamik në Irak. Megjithatë, siç tha ajo vetë pesë vite më pas, “deri më tani shumica e provave të mbledhura mbeten në magazina, sepse nuk ka një gjykatë ndërkombëtare që të gjykojë ISIS-in”.Në atë rast, avokatja u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që provat për krimet e luftës në Ukrainë të mos mbeten të pluhurosura në arkiva. Sapo ishte bërë pjesë e një task force avokatësh që këshillon qeverinë e Kievit për rrugët më të mira për të ndjekur drejtësinë ndaj agresionit rus. «Frika ime për Ukrainën», tha ajo, «është se do të na mbulojnë angazhimet dhe shpërqendrimet, dhe dita-ditës do të ketë më pak mbulim mediatik për luftën, dhe njerëzit do të bëhen gradualisht më indiferentë ndaj saj».

PËRDORIMI I MIRË I FAMËS

Amal e cila atëherë mbante mbiemrin Alamuddin – ishte këshilltare e Kofi Annanit në vitin 2013, kur ai ishte i dërguari special i OKB-së për Sirinë; ajo ka përfaqësuar ish-kryeministren ukrainase Yulia Tymoshenko dhe Julian Assange; ka punuar për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë; ka mbrojtur 126 viktima të gjenocidit në Darfur përpara Gjykatës së Hagës; ka qenë prokurore për Gjykatën Speciale për Libanin, kundër pesë anëtarëve të Hezbollahut, të akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit libanez Hariri. Prindërit e Amal-it u larguan nga Libani në vitet 1980 gjatë luftës civile, duke u vendosur në Britaninë e Madhe, kur ajo ishte dy vjeçe. Thuhet se ata e quajtën Amal (që do të thotë “shpresë”) sepse lindi gjatë një armëpushimi të shkurtër.I ati, Ramzi Alamuddin, është profesor në pension i Universitetit Amerikan të Beirutit, pjesë e një familjeje të rëndësishme druze, dhe kur gazetarët shkuan në fshatin Baakline, atyre u thanë se lavdia e dikurshme e familjes Alamuddin ishte shumë më e madhe se fama e Clooney-ve. Nëna, Baria Meknas, myslimane sunite nga Tripoli, është një ish-miss që ka punuar për gazetën panarabe Al Hayat: ajo i tregoi revistës Vogue se edhe ajo do të kishte dashur të bëhej avokate. Shtatzënia e saj me Amal-in, vajza e dytë, ishte e vështirë; mjekët i këshilluan abort, por ajo e kishte parë vajzën në ëndërr dhe e kishte imagjinuar fytyrën e saj. «Dhe kur lindi, ishte fiks siç e kisha imagjinuar».Amal studioi në Oksford dhe më pas në Universitetin e Nju Jorkut, në qytetin ku çifti Clooney jeton tani me fëmijët e tyre binjakë shtatëvjeçarë, Alexander dhe Ella, siç tregoi George në një intervistë të fundit për debutimin e tij në Broadway me shfaqjen “Good Night, and Good Luck”. U njohën në vilën e aktorit në Como, në vitin 2013: ajo shoqëronte një mike, aty ishin dhe prindërit e tij dhe qëndruan të gjithë duke biseduar deri vonë. U martuan në Venecia një vit më vonë. Amal alternon punën si avokate me tapetin e kuq përkrah bashkëshortit të saj.Në një intervistë për kopertinën e revistës Time, ajo tha se besonte se mund ta përdorte famën për të vënë në pah gjërat që kanë rëndësi.

6 SHKURT: PARALAJMËRIMI

Nuk është e qartë nëse me Trumpin, fama mund ta mbrojë apo ta dëmtojë. Më 6 shkurt, presidenti amerikan firmosi një urdhër ekzekutiv që dënon sjelljen e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (autoriteti i së cilës nuk është njohur kurrë nga Shtetet e Bashkuara) për «veprimet e saj të paligjshme dhe të pabazuara ndaj Amerikës dhe aleatit tonë, Izraelit».Presidenti premtoi «pasoja konkrete dhe të ndjeshme për përgjegjësit»: ai sanksionoi Karim Khan, avokat britanik dhe prokuror i përgjithshëm i Gjykatës, dhe tha se do të publikonte një listë të personave të tjerë të prekur brenda 60 ditëve nga ai urdhër.Ambasada britanike në Uashington ushtroi presion për të shmangur përfshirjen e qytetarëve të tjerë britanikë në listë. Tani që 60 ditët kanë kaluar, Ministria e Jashtme paralajmëron se rreziku vazhdon, dhe sipas Observer-it dhe Financial Times-it, u ka këshilluar një sërë avokatësh që të marrin masa parandaluese, sepse llogaritë e tyre bankare në Britani mund të bllokohen në rast të ndonjë veprimi nga Shtëpia e Bardhë.Ndër ata që janë paralajmëruar, nga të dyja gazetat përmenden: Sir Adrian Fulford, baronesha Kennedy of the Shaws, gjyqtari Theodor Meron (ish-president i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë), avokati Danny Friedman dhe Elizabeth Wilmshurst nga instituti Chatham House. Të gjithë kanë qenë pjesë e grupit të ekspertëve që, të thirrur për të vlerësuar nëse kishte prova të mjaftueshme, mbështetën vendimin për urdhër-arrestet ndaj Netanyahu-t, Gallant-it dhe tre liderëve të Hamasit: Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh.

«SI AVOKATE, NUK DO TË PRANOJ KURRË…»Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur Gjykatën, dhe gjatë mandatit të tij të parë sanksionoi paraardhësen e Khan-it, Fatou Bensouda (më pas Joe Biden i hoqi sanksionet).Por George Clooney, që ka financuar bujarisht fushatën e Biden-it, bëri thirrje për protestë Shtëpinë e Bardhë, kur edhe presidenti demokrat vitin e kaluar i quajti «skandaloze» ato urdhër-arreste, duke thënë se krijonin një barazi të rreme midis Izraelit, që po reagonte ndaj sulmit brutal terrorist të 7 tetorit, dhe Hamasit, që synon shkatërrimin e shtetit hebraik.Kur Biden u duk fillimisht i hapur për të bashkëpunuar me Kongresin për të vendosur sanksione (në fund ai deklaroi se nuk ishte “përgjigjja e duhur” dhe se do të gjendej një rrugë tjetër), aktori foli me këshilltarin e Biden-it, Steve Ricchetti, për të mbrojtur punën e bashkëshortes së tij: ishte pranvera e vitit 2024, dy javë para eventit të 15 qershorit kur Biden u shfaq i hutuar në një takim elektoral në Kaliforni në krah të George Clooney-t dhe Barack Obamës, pas kthimit nga G7-a në Pulia. Pak ditë më pas ndodhi debati televiziv katastrofik me Trump-in, dhe më pas editoriali i Clooney-t që i kërkonte Biden-it të tërhiqej nga gara.Amal e shpjegoi kështu arsyen përse bashkëpunoi me Gjykatën e Hagës: «Si avokate për të drejtat e njeriut, nuk do të pranoj kurrë që jeta e një fëmije të ketë më pak vlerë se ajo e një tjetri. Nuk pranoj që të ketë konflikte përtej juridiksionit të ligjit. Prandaj mbështes hapin historik të prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të aplikuar drejtësinë për viktimat e mizorive në Izrael dhe Palestinë».

Publikuar nga Publik Media