10 mijë euro/m2
Nga Publik.al
Vitet e fundit, Tirana po përjeton një transformim të thellë urban. Qyteti nuk po rritet më horizontalisht, por po ngjitet vertikalisht – me një bum ndërtimesh që ngre kullat drejt qiellit dhe lë tokën nën to jashtë mundësive të qytetarëve të zakonshëm. Në çdo lagje, nga Komuna e Parisit deri te Liqeni Artificial, kudo ku ka pasur një hapësirë publike, një institucion, apo një truall të lirë, është shfaqur një vinç. Pothuajse gjithçka që është publike, po transferohet drejt sektorit privat për të ndërtuar kulla 30 apo 40 katëshe.
Ky “Dubai i Ballkanit” që po ngrihet në Tiranë nuk është më një utopi arkitektonike – por një realitet ekonomik me pasoja të thella sociale, financiare dhe urbane.
Nga banesa në suitë: Çmimet që i përkasin një Tirane tjetër
Të dhënat nga agjencitë imobiliare tregojnë një rritje ekstreme të çmimeve, duke kulmuar me projektin e ardhshëm pranë Liqenit Artificial, ku apartamentet do të shiten me deri në 10,000 euro për metër katror – një rekord për Shqipërinë dhe një çmim që nuk lidhet fare me të ardhurat mesatare të shqiptarëve.
Për krahasim:
- Në Beograd, çmimi mesatar i apartamenteve në qendër është 3,941 euro/m², me raste të rralla mbi 11,000 euro.
- Në Kroaci, vetëm zonat bregdetare luksoze e kalojnë shifrën 8,000 euro/m².
- Në Mal të Zi, çmimet më të larta arritën 10,000 euro/m² para krizave të fundit, por tashmë kanë rënë.
Në Shqipëri? Rroga mesatare neto mbetet nën 600 euro/muaj, ndërkohë që për të blerë një apartament 100 m² në një nga këto kulla, një shqiptar duhet të paguajë mbi 1 milion euro.
Për kë po ndërtohet Tirana?
Sipas zhvilluesve dhe agjentëve të tregut:
- Këto njësi nuk janë më “apartamente”, por suita rezidenciale luksoze.
- Target janë blerës elitarë të huaj, investitorë nga BE dhe diaspora e pasur.
- Rreth 18% e blerësve në 2024 ishin jorezidentë, shumica nga vendet e BE-së.
Kjo do të thotë se Tirana po largohet gjithnjë e më shumë nga funksioni i saj si qytet për qytetarët që jetojnë në të. Këto njësi banimi nuk janë më për banim – janë asete investimi, shpesh për të parkuar para të mëdha nga tregjet e huaja ose për pastrim kapitalesh të dyshimta.
Çmimi i përjashtimit social
Ndërkohë që Tirana përqendrohet në lukse për 1% të pasurve, pjesa tjetër e qytetarëve ka mbetur jashtë këtij tregu:
- Në zonat periferike, çmimet variojnë nga 900–1,400 euro/m², por mungojnë shërbimet urbane.
- Brenda Unazës së Vogël, nuk gjen më apartamente nën 2,000 euro/m², edhe për ndërtimet e vjetra.
- Sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, çmimet u rritën me 44.5% brenda një viti (gjysma e dytë 2024).
Kjo rritje nuk reflekton vetëm zhvillim urban, por krijon një ndarje të thellë sociale, duke lënë mijëra familje të reja jashtë tregut të strehimit dhe duke rritur presionin mbi shtresat në nevojë.
Për këto kulla kush përfiton?
Përgjigjja nuk është vetëm: investitorët e huaj. Pas çdo lejeje ndërtimi dhe çdo kontrate ka emra klientelistë që përfitojnë tokë publike, legalizime, lehtësime fiskale dhe tenderë për infrastrukturën ndihmëse. Kulla nuk është vetëm një strukturë – është një projekt financiar-politik, ku ndërthuren interesa oligarkësh, pushteti lokal dhe aktorë ndërkombëtarë.
Në shumë raste, trualli për ndërtimin është marrë nga:
- Ish-prona publike si godina e ATSH, trualli i Universitetit Politeknik, apo zona te Liqeni.
- Transferime me VKM ose bashkëpunime “publik-privat” që në thelb janë privatizime të mbuluara.
Një qytet që nuk i përket më qytetarëve të vet
Bumi i kullave në Tiranë nuk është më thjesht një tendencë ndërtimi – është një ndryshim paradigme. Nga qytet me funksion social, Tirana po kthehet në një zonë e privilegjuar financiare, ku banesa nuk është më e drejtë, por luks. Nga vend ku njerëzit kërkojnë strehë, Tirana po bëhet katalog pasurish të paluajtshme për treg global.
A do të mund të përballojë Shqipëria një ndarje kaq të thellë mes pasurisë dhe varfërisë?
A do të ketë vend për të rinjtë, për familjet e reja, për profesionistët që nuk janë pjesë e rrethit të privilegjuar?
Në këtë ritëm, jo.