“Çmendet” drejtoresha e Ramës: 2.3 mln euro për të marrë kontenierë me qira për një ditë!

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, miliona euro “rrush e kumbulla”!

Në 16 maj, Tirana do të presë Takimin e Nivelit të Lartë të Komunitetit Politik Europian. Por përgatitjet për këtë event të rëndësishëm diplomatik po bëhen me të njëjtën metodë të vjetër të klientelizmit të mbështjellë me fjalë të mëdha dhe fatura marramendëse.

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSH), institucioni më hermetik i buxhetit të shtetit, ka firmosur një kontratë me procedurë të mbyllur dhe pa garë për të marrë me qira disa struktura akomoduese provizore. E thënë shqip: disa kontenierë, apo stenda panairesh, që do të montohen për një ditë e pastaj do të zhduken.

Tenderi i hijeve

Procedura është hapur më 8 prill me një fond limit prej 235 milionë lekësh (2.35 milionë euro). Vetëm dy ditë më pas, më 10 prill, DSH ka shpallur fituese kompaninë “Red Cloud”, në pronësi të biznesmenit të afërt me qeverinë, Klodian Makashi, me ofertën 2.32 milionë euro – një “zbritje” e turpshme prej vetëm 30 mijë euro.

Tenderi për prokurimin e disa Struktura akomoduese në formën e konstruksioneve të përkohshme, në kuadër të Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit Politik Europian (EPC), që do të mbahet në Tiranë në datën 16 Maj.

Ky më sipër është dokumenti i shpalljes së fituesit. Tenderi është shpallur në Sistemin e Prokurimeve Publike në datën 8 prill me fond limit 235 milionë lekë ose 2.35 milionë euro. Në datën 10 prill, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka shpallur fituese të procedurës emergjente, kompaninë Red Cloud me ofertë 2.32 milionë euro.

Tenderi u zhvillua në rrugë shkresore, me letra të shkëmbyera nga zyra në zyrë. Asnjë konkurrencë reale. Asnjë publikim në buletinin e njoftimeve publike. Arsyeja? “Emergjencë shtetërore”.

Nga fluturimet me charter te kontenierët e qirasë

Ky nuk është rasti i parë që Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare funksionon si një bankë e errët që shpërndan miliona jashtë çdo transparence. Nga blerja e avionit personal për kryeministrin, te mobilimi me luks i zyrave të zyrtarëve të lartë, DSH është shndërruar në një kasafortë informale për shpenzime informale.

Në vend që të kujdeset për shërbime të domosdoshme për administratën, DSH vepron si agjenci udhëtimi, ndërmjetës për charterë, dhe së fundmi si qiraxhi stendash me çmime të pangopura. Çdo projekt, i justifikuar si “interes kombëtar” apo “ngjarje madhore”, është një justifikim për të shpërndarë para publike pa kontroll.

2.3 milionë euro për një ditë

Në thelb, qeveria ka dhënë me qira kontenierë për një event njëditor, me një faturë që i afrohet çmimit të një hoteli luksoz 5-vjeçar. Pas mbylljes së aktivitetit, kontenierët do të çmontohen dhe do të largohen bashkë me paratë.

Asnjë investim i qëndrueshëm. Asnjë objekt që mbetet për qytetin. Asgjë që i mbetet publikut. Vetëm një shfaqje për të lënë përshtypje te liderët europianë – e paguar nga xhepi i qytetarëve.

Sistemi i kontratave fantazmë

DHS është vetëm maja e ajsbergut. Qeveria ka ngritur një sistem të tërë xhepash ekstrabuxhetorë, ku qarkullojnë miliona pa konkurrencë, pa kontroll dhe pa ndonjë mbikëqyrje reale. Nga kontratat e IT-së, te ato të shëndetësisë e mbrojtjes, justifikimet janë të njëjta: emergjencë, siguri kombëtare, prestigj ndërkombëtar.

Por në të gjitha rastet, paratë përfundojnë te të njëjtat kompani, me të njëjtët emra dhe të njëjtin model: kontrata të mbyllura, pa garë, pa publikim dhe me nënshkrime që mbulojnë njëri-tjetrin.

Republika e emergjencave të përjetshme

Kur s’ka COVID, ka Samit. Kur s’ka siguri kombëtare, ka axhenda prestigji. Në këtë qeveri, emergjenca është e përhershme, dhe në emër të saj, buxheti publik është kthyer në një bankomat të errët që paguan luksin e pushtetit, pa dhënë llogari askund.

Tani, qytetarët kanë të drejtë të pyesin:

Kush e merr mbrapsht këtë faturë njëditore? Dhe më e rëndësishmja: Kush është i radhës që do të “mbyllë një pazar shkresor” për një tjetër emergjencë imagjinare?

Publikuar nga Publik Media