Çmimet po rriten, këto pushime verore do të jenë “të kripura”

Që pushimet verore do të jenë sërish “të kripura”, kjo tashmë pritej. Ashtu si çdo sektor tjetër, edhe turizmi ndjek ligjet bazë të tregut  ku ka kërkesë të lartë, çmimet rriten. Dhe në prag të sezonit turistik masiv, çmimet kanë nisur të reflektojnë pikërisht këtë dinamikë.Krahasuar me verën e kaluar, akomodimi në hotele dhe përdorimi i plazheve, bashkë me transportin, janë shtrenjtuar mesatarisht me rreth 5%. Ndërsa pijet dhe ushqimet kanë pësuar një rritje edhe më të ndjeshme, mesatarisht 10%.“Vendi po zhvillohet, kjo është e qartë. Por duhet të jemi të kujdesshëm  ndonjëherë një bum i menjëhershëm mund të pasohet nga një boshllëk i rrezikshëm”, thotë Albana Nanaj, gazetare dhe njohëse e sektorit të turizmit.Nga ana tjetër, sipas Blerina Agos, sipërmarrëse dhe eksperte turizmi, ekziston një mospërputhje mes imazhit që Shqipëria reklamon dhe realitetit që gjejnë turistët kur mbërrijnë:“Nuk kemi përputhje mes asaj që tregojmë dhe asaj që ofrojmë realisht. Kjo është sfidë për industrinë.”Megjithatë, për ata që kërkojnë pushime më ekonomike, mundësitë nuk mungojnë. Plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës në veri të vendit ofrojnë çmime më të përballueshme. Alternativa të mira mbeten edhe në Durrës dhe pjesërisht në Vlorë. E kundërta ndodh me destinacionet më të lakmuara të jugut si Saranda, Dhërmiu apo Palasa, ku një natë për një çift mund të kushtojë nga 80 deri në 200 euro.“Mendoj se operatorët në veri kanë gjetur një formulë më të qëndrueshme. Çmimet e arsyeshme krijojnë besnikëri – pushuesit vendas, por edhe turistët nga Polonia, Rusia apo gjetkë, kërkojnë vlerë për paratë. Kjo është gjithnjë e më e vështirë në jug,” shton Nanaj.Pavarësisht rritjes së çmimeve, Shqipëria vijon të mbetet më e lirë se shumë vende të Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Booking.com, një çift mund të akomodohet në plazhet shqiptare për rreth 80 euro nata – më lirë se në Itali apo Maltë, por më shtrenjtë se në Turqi.“Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të jetë një destinacion i lirë. Nuk duhet të ndjekim modelin e turizmit ‘low cost’ që kanë ndjekur vende të tjera. Vendi ynë ka potencial për një zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësor,” thekson Ago.Megjithatë, çmimet e larta mbeten një faktor frenues. Ashtu si ndodhi verën e kaluar në jug, edhe këtë vit ato mund të ndikojnë negativisht në fluksin e turistëve.

Publikuar nga Publik Media