Zgjerohen hetimet pas skandalit të AKSHI
Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, është marrë në pyetje për rreth dy orë nga SPAK, në kuadër të një hetimi që lidhet me çështje pronësie dhe dyshime për procedura të parregullta administrative, shkruan ‘Skyweb’
Burime bëjnë me dije se Bici ka dhënë shpjegime lidhur me procedurat e ndjekura për kalimin në pronësi private të një vile që më parë rezultonte pjesë e një kompleksi turistik në periferi të Tiranës. Në fokus të hetimit është roli i saj në procesin e pajisjes me dokumentacion hipotekor të kësaj prone në emër të Ergys Agasi.
Sipas të dhënave hetimore, dyshohet se vila është shkëputur nga statusi i saj si pjesë e një resorti dhe është kaluar në pronësi individuale përmes procedurave që po verifikohen nga organet e drejtësisë. Dokumentacioni i administruar nga hetuesit pritet të shërbejë për të sqaruar rrjedhën e vendimmarrjes dhe ndërhyrjet e mundshme në këtë proces.
Burime pranë hetimit sugjerojnë se prona në fjalë është përdorur prej muajsh nga Agasi, ndërsa po hetohet nëse ndryshimi i statusit juridik të saj është kryer në kundërshtim me ligjin.
Marrja në pyetje e Bicit vjen në një moment kur hetimet për çështjen e AKSHI janë në zgjerim, me fokus jo vetëm procedurat e prokurimit, por edhe lidhjet e mundshme me përfitime pasurore dhe transferime pronash.
Në qendër të verifikimeve mbetet mënyra se si është realizuar kalimi i pronësisë së vilës, si dhe raportet funksionale dhe vendimmarrëse mes ish-kreut të Kadastrës dhe Ergys Agasi gjatë kohës që ajo ushtronte detyrën.







