Naim Noka
Debati mes Arlind Qorrit dhe Blendi Fevziut në emisionin “Opinion” nxjerr në pah një nga problemet më shqetësuese të peizazhit mediatik shqiptar: kapjen e mediave nga interesat e ngushta ekonomike dhe politike. Qorri akuzon televizionin “Klan” për censurim, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi lirinë e shtypit dhe mbi mënyrën se si media kombëtare vepron në një treg të monopolizuar nga interesat e oligarkëve dhe qeverisë.
Media vegël e interesave ekonomike
Televizionet me licenca kombëtare, si TV Klan, Top Channel, kanë një përgjegjësi të veçantë publike, pasi ato operojnë në bazë të lejeve të dhëna nga shteti dhe mbështeten mbi hapësirën publike të transmetimit. Në teori, ato duhet të pasqyrojnë interesat dhe zërat e qytetarëve, duke vepruar si arbitër i drejtësisë dhe i lirisë së shprehjes. Në praktikë, këto media shpesh bëhen vegla të grupeve të ngushta të interesit, duke anashkaluar tema që cenojnë pronarët e tyre apo lidhjet e tyre ekonomike.
Samir Mane, për të cilin Qorri pretendon se është shkak i censurimit të tij, është një nga oligarkët më të fuqishëm të Shqipërisë, me ndikim jo vetëm në ekonomi, por edhe në politikë dhe media. Televizionet që varen nga reklamat e korporatave të tij ose nga marrëveshjet me qeverinë kanë pak incentiva për të dhënë hapësirë kritikave ndaj tij. Në këtë kontekst, mosftesa e Qorrit nuk është thjesht një rast individual, por një pasqyrim i mënyrës se si mediat shqiptare filtrojnë informacionin sipas interesave të elitës.
Blendi Fevziu përpiqet të ruajë një qëndrim të paanshëm duke mohuar se merr urdhra për kë fton në emision. Megjithatë, mbrojtja e tij nuk bind. Argumenti se ai “është pronar i studios” dhe se “media nuk merr urdhra” bie ndesh me realitetin e njohur të një mjedisi mediatik ku pronarët e mediave kanë lidhje të ngushta me bizneset dhe politikën. Nëse media është vërtet e pavarur, atëherë përse protestat e pensionistëve, një temë me interes të gjerë publik, janë neglizhuar? Përse zërat kritikë si ai i Qorrit përballen me censurë të heshtur?
Fevziu u përpoq të barazojë mungesën e ftesave për ministra me ftesën e Qorrit, por këtu ai shmang çështjen kryesore: ministrat që nuk i lë Rama me urdhër, përfaqësojnë një pushtet të mirëstrukturuar që ka gjithmonë akses në media, ndërsa Qorri është një përfaqësues i një opozite të re dhe qytetare, zëri i së cilës nuk ka të njëjtin privilegj për t’u dëgjuar.
Kapja e medias dhe rreziku për demokracinë
Kapja e mediave nga interesat ekonomike dhe politike është një kërcënim serioz për demokracinë në Shqipëri dhe fatin e zgjedhjeve në maj 2025. Televizionet kombëtare, që gëzojnë një shtrirje të gjerë dhe kanë një ndikim të madh mbi opinionin publik, shndërrohen në instrumente të propagandës, duke shërbyer jo për qytetarët, por për ata që kontrollojnë burimet ekonomike dhe politike të vendit.
Rasti i Qorrit është simptomë e një problemi shumë më të gjerë: mungesa e pluralizmit në tregun mediatik dhe nënshtrimi i lajmeve ndaj interesave të ngushta. Në vend që të krijojnë hapësira për debat dhe të promovojnë lirinë e shprehjes, këto media u fikin kamerat dhe mikrofinin atyre që guxojnë të sfidojnë status quo-në. Për të justifikuar këtë sjellje, përdoren shpesh argumente sipërfaqësore si “audienca vendos” ose “media është e pavarur”, duke fshehur faktin se ato ndodhen nën kontrollin e një elite të vogël që përdor fuqinë ekonomike për të kufizuar narrativat publike.
Rasti i debatit Qorri-Fevziu duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Media ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe të drejtë. Për të mbrojtur këtë rol, duhet të kërkohet transparencë mbi pronësinë dhe financimin e mediave, si dhe një rregullim më i fortë i lidhjeve midis biznesit, politikës dhe gazetarisë. Pa një media të lirë dhe të pavarur, Shqipëria rrezikon të mbetet peng i interesave të ngushta, duke shtypur zërat që kërkojnë drejtësi dhe ndryshim dhe duke u jargavitur pas kryeministrit që kontrollon pushtetin ekonomik dhe jo vetëm.