Mbrëmjen e djeshme, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në dy vila në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi, të ndodhura në një kompleks rezidencial në jug të vendit.
Lidhur me këtë zhvillim ka dhënë detaje gazetari Xhevahir Zhabina, i cili bëri me dije se njëra prej vilave dyshohet të jetë përdorur nga ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj.
Ndërkohë, sipas tij, gjatë kontrolleve janë gjetur materiale që mund të kenë vlerë për hetimet në vijim, në kuadër të të ashtuquajturës dosje të AKSHI-t.
“Këto zhvillime tregojnë se dosja e AKSHI-t është më e gjerë sesa është bërë publike deri më tani. Veprimet hetimore janë kryer dhe po vijojnë nga BKH, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, duke u fokusuar në këto prona që dyshohet se lidhen me dy nga personazhet kryesorë të kësaj afere. Gjithashtu, ekzistojnë dyshime se vilat mund të jenë përdorur nga Mirlinda Karçanaj ose persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje hetimore. Janë sekuestruar prova, por vlera e tyre për hetimin mbetet për t’u përcaktuar, pasi do t’i nënshtrohen ekspertizave të mëtejshme nga oficerët e BKH-së. Ndërkohë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse ndonjë nga këto vila është në pronësi apo përdorim të drejtpërdrejtë të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj,” tha gazetari.
Kujtojmë se më herët, një pjesë e materialeve nga dosja hetimore e AKSHI-t janë bërë publike, ku shfaqen pamje të një takimi mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj.

Në këto pamje, që dyshohet se lidhen me diskutime mbi tendera të dyshuar si korruptivë, Agasi i drejtohet Karçanajt me fjalët: “Hej ça po bën ti zemra”.
Ky detaj ka shtuar më tej dyshimet mbi natyrën e marrëdhënies mes tyre dhe rolin që mund të kenë pasur në këtë çështje, e cila vijon të jetë nën hetim nga autoritetet përkatëse.







