Skandal urban në zemër të Tiranës
Ish-futbollisti Igli Allmuça i stresuar nga ndërtimi abuziv i kompanisë me 70 milionë euro nga shteti
Publik.al | 30 Qershor 2025
Në një denoncim tronditës që pasqyron realitetin dramatik të betonit që po gëlltit Tiranën, ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Allmuça, ka denoncuar publikisht një akt flagrant të uzurpimit të hapësirës jetike pranë banesës së tij në lagjen “Ali Demi”. Një ndërtim masiv që po ngrihet ngjitur me shtëpinë e tij i ka bllokuar dy dritare, përfshirë atë të dhomës së djemve të tij, duke e lënë familjen në terr, në kuptimin më të plotë të fjalës.
PAMJET NGA NDËRTIMI:
“Allmuça” shprehet se është i stresuar prej 8 muajsh në shtëpi, ndërsa paralajmëron se do t’i drejtohet rrugës ligjore bashkë me të atin, për të mbrojtur jo vetëm pronën, por dinjitetin e një qytetari që përballet me arrogancën e një ndërtimi pa kriter e pa ligj.
“Nuk e di si është marrë kjo leje. Është absurde! Një firmë ndërtimi ka ngritur pallat zero metra nga shtëpia ime, duke më bllokuar dritaret. Njëra prej tyre është në dhomën e fëmijëve të mi. Kjo është çmenduri urbane, shkelje e çdo ligji dhe ndjeshmërie njerëzore,” – shkruan Allmuça.
Pamjet e shpërndara nga ish-futbollisti flasin vetë. Një mur betoni ka mbuluar plotësisht dritaret e banesës, duke transformuar dhomat e familjes në kuti të errëta, pa ajrim dhe pa dritë natyrore. Një model i përsosur i Tiranës së re që po ndërtohet: për të pasurit, për ndërtuesit, për klientelën. Qytetarët? Një pengesë e padukshme në rrugën e betonit.
Kush qëndron pas këtij ndërtimi?
Sipas raportimeve mediatike, pas këtij pallati që po ndërtohet pa mëshirë, qëndron kompania
Pyetje pa përgjigje për Bashkinë
Si u dha leja për një ndërtim 0 metra larg një banese ekzistuese? Kush e firmosi këtë leje, duke shkelur çdo standard urbanistik? Si është e mundur që në mes të Tiranës, në vitin 2025, qytetarët mbeten peng i firmave ndërtuese dhe klientelës politike që i mbron?
Kjo nuk është më çështje private, por një simptomë e sëmundjes urbane që po kapërcen çdo kufi. Një qytet që po ndërtohet për të tjerët, dhe që po mbyll në errësirë ata që jetojnë prej dekadash aty.
Publik.al do të ndjekë këtë rast në mënyrë të vazhdueshme dhe bën thirrje për hetim të menjëhershëm të këtij ndërtimi dhe transparencë nga Bashkia e Tiranës, IMT dhe Agjencia e Planifikimit Urban. Përndryshe, çdo heshtje institucionale është bashkëpunim në këtë krim urban.