Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al nga një punonjës doganier me përvojë shumëvjeçare hedh akuza të rënda për mënyrën e funksionimit të Doganave shqiptare, duke ngritur shqetësime për konflikt interesi, presione ndaj stafit dhe ndërhyrje të dyshimta në administratë.
Denoncuesi pohon se situata në këtë institucion është përkeqësuar ndjeshëm dhe se “nuk mbahen më përbrenda” problematikat që, sipas tij, janë bërë të zakonshme.
Sipas tij, Erion Ricku, aktualisht në krye të Doganës së Tiranës, rezulton të jetë edhe ortak me 15% në kompaninë “RISKU” sh.p.k., si dhe pronar i një “Big Marketi” në rrugën “Dritan Hoxha”. Këto lidhje, sipas denoncimit, përbëjnë një konflikt të hapur interesi, duke qenë se aktiviteti i kompanisë lidhet me import-eksport dhe tregti.
Në denoncim përmendet gjithashtu ndikimi i Besmir Beja, për të cilin pretendohet se ushtron presion ndaj punonjësve, përfshirë kërcënime për largim nga puna dhe detyrim për përfshirje në propagandë politike në rrjetet sociale.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me lëvizje të dyshimta në staf, ku sipas burimit, janë evidentuar raste të largimeve apo zhvendosjeve të punonjëseve gra dhe vajza, me qëllim hapjen e vendeve të punës për persona të afërt me drejtuesit.
“Askush nuk flet. Mediat heshtin. Të gjithë bëjnë sikur nuk shohin gjë,” thuhet në denoncim, duke shtuar se kjo situatë rrit dyshimet për ekzistencën e interesave të mëdha pas këtyre zhvillimeve.
Denoncuesi i referohet gjithashtu ligjit nr. 9367/2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave”, duke theksuar se përzierja e interesave private me detyrën shtetërore përbën shkelje të qartë ligjore.
Në përfundim, ai apelon që rasti të trajtohet seriozisht dhe të hetohet, duke theksuar të drejtën e publikut për transparencë mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet shtetërore.
Denoncimi i plotë:
“Po ju shkruaj si nje punonjes doganier me eksperience prej shume vitesh qe ka kohe qe sheh dhe degjon gjera qe nuk shkojne fare mire ne Doganat shqiptare, dhe sinqerisht, nuk mbahen me perbrenda. Ju lutem te ruani anonimatin tim.
Aty brenda ka shume me teper se kaq dhe me keq akoma.
Erion Ricku, Drejtor i Doganes Tirane, eshte edhe ortak me 15% ne “RISKU” sh.p.k. dhe pronar i Big Marketit ne rrugen Dritan Hoxha Kjo nuk do shume mend per te kuptuar qe ka konflikt interesi, kur kompania merret me import-eksport e tregti.
Nga ana tjeter, keto emerime nuk jane rastesi. Lidhen drejtperdrejt me ndikimin e Besmir Bejes, per te cilin flitet hapur per presione ndaj punonjesve, kercenime per largime nga puna dhe detyrim qe te merren me propagande politike ne rrjete sociale.
Ka edhe me keq. Se fundmi, jane bere levizje te dyshimta ne staf, sidomos me gra dhe vajza, qe jane larguar ose levizur nga puna, per t’i hapur vend njerezve te afert me drejtuesit.
Dhe prape, askush nuk flet. Mediat heshtin. Te gjithe bejne sikur nuk shohin gje. Kjo vetem sa shton dyshimet qe ka interesa te medha pas.
Kjo eshte shkelje e hapur e ligjit per konfliktin e interesit (ligji nr. 9367/2005), ku eshte shume e qarte qe nuk mund te perzihen interesat private me detyren shteterore.
Populli ka te drejte te dije cfare behet me keto institucione. Nuk mund te vazhdohet keshtu sikur s’po ndodh gje.
E bej kete denoncim me shprese qe do ta trajtoni seriozisht dhe do ta nxirrni ne drite, duke ruajtur anonimatin tim.
Faleminderit.”







