Denoncimi: Radhima po betonizohet, ndërtim i paligjshëm buzë detit

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik.al në lidhje me një ndërtim të ri që po zhvillohet në zonën e bregdetit në Radhimë, përballë hotel “Krela Mezuraj”.

Sipas denoncuesit, punimet po kryhen shumë pranë vijës bregdetare, rreth 18 metra larg detit, ndërkohë që në kantier mungon tabela informuese, e cila është një detyrim ligjor për çdo ndërtim.

“Po tjetërsohet hapësira publike pa transparencë. Nuk ka asnjë tabelë shpjeguese dhe pa u bërë publike leja e ndërtimit, zona po mbushet me beton dhe hekur,” thuhet në denoncim.

Qytetari ngre shqetësimin se ndërhyrja mund të jetë në kundërshtim me ligjin dhe kërkon verifikim nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar situatën si alarmante.

Redaksia e Publik.al i bën thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë rastin dhe të sqarojnë nëse ndërtimi është i pajisur me lejet përkatëse, si dhe nëse po respektohen distancat ligjore nga vija bregdetare.

Publikuar nga Publik Media