Deputeti Luan Duzha i dyshuar për krime zgjedhore, e shoqja doganiere me masë sigurie për kontrabandë

Të dy në hetim nga SPAK

Në Shqipëri po ndodh ajo që edhe në filma mafiozë duket e ekzagjeruar. Një çift me pushtet  ai deputet, ajo doganiere  të dy nën hetim nga SPAK.

Burime të sigurta për Publik.al konfirmojnë se deputeti Luan Duzha është nën hetim për përfshirje në krime zgjedhore, ndërsa bashkëshortja e tij, një zyrtare dogane me detyrë në një pikë kufitare të rëndësishme, ndodhet nën masë sigurie për kontrabandë mallrash.

Në një shtet me funksione normale, një ngjarje e tillë do të trondiste themelet e një qeverie, por në Shqipëri, duket se gjithçka vazhdon si zakonisht. Asnjë dorëheqje. Asnjë pezullim. Të dy vijojnë të paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë – dhe atyre europianë që mbështesin institucionet shqiptare përmes ndihmave dhe fondeve të BE-së.

Skandali i dyfishtë ngre pyetje serioze për filtrat e kontrollit brenda institucioneve shqiptare. Si është e mundur që një person nën hetim për krime zgjedhore të qëndrojë ende në Kuvend? Si është e mundur që një zyrtare dogane, mbi të cilën rëndon akuza për kontrabandë, të mos jetë përjashtuar nga administrata publike?

SPAK është në dijeni të të dy rasteve dhe hetimet janë në fazë të avancuar, sipas burimeve të brendshme. Nuk përjashtohet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera, përfshirë zgjerim të hetimeve edhe ndaj rrjeteve mbështetëse.

Ndërkohë, Shqipëria zyrtare vazhdon të heshtë. As Kuvendi, as Ministria e Financave, as strukturat e qeverisë nuk kanë reaguar për këtë rast të pashembullt të “çiftit të drejtësisë”, që i përket më shumë një skenari filmi sesa një vendi që aspiron integrimin në BE.

Po as Sicilia nuk ishte kështu.

Publikuar nga Publik Media