Naim Noka
Çdo pyll ka derrat e vet, por në Shqipëri, derrat nuk jetojnë në pyll – jetojnë në zyrat e shtetit dhe qeverisin. Dhe siç e ka mësuar mirë populli nga Orwelli, në “Fermën e Kafshëve”, disa derra janë më të barabartë se të tjerët.
Së fundmi, një deklaratë e kryeministrit Rama ka tronditur ekosistemin politik: “Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe PS ka në këtë proces njerëz individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe jo rrugës së PS.” E thënë ndryshe: ka disa derra që nuk e kanë ndjekur kodin e nderit të tufës dhe tani duhet të përballen me drejtësinë, jo me udhëzimet e Partisë.
Por kush janë këta derra? Janë po ata që deri dje hanin nga grazhdi i pushtetit, që bënin tendera, koncesione dhe lavdëroheshin për besnikërinë e tyre ndaj Partisë. Dhe tani që grazhdi i SPAK-ut ka filluar të gërvishtet, disa po sakrifikohen në emër të moralit të ri të pushtetit.
Në “Fermën e Kafshëve,” derrat e udhëhoqën revoltën dhe premtonin barazi, por sapo morën kontrollin, ndanë bagëtitë nga kasta drejtuese. Dhe kështu ndodh edhe në PS: derisa je i dobishëm, je një shok i Partisë; por kur bëhesh i rrezikshëm, je një problem për drejtësinë.
Kështu ka ndodhur me ish-zëvendëskryeministrin, me ish-ministra e kryebashkiakë, me bedelin e bandave, Jurgis Cyrbjan, me kokat që bien herë pas here për të ruajtur imazhin e Partisë. Por 5 apo 8D derrat e Bashkisë së Tiranës, ku janë?! Apo si gjithmonë, kryederra të mbrojtur nga grazhdi i pushtetit, të pacenueshëm nga drejtësia?
Në fund, një mësim vlen për të gjithë: në këtë fermë, derra janë të gjithë, por disa derra nuk kapen kurrë nga drejtësia. Ata madje marrin guximin të na bëjnë moral në mexhelis, dhe pa iu dridhur qerpiku kryederrit – tashmë i plakur nga rrenat dhe propaganda – vazhdojnë të kutërbojnë erë derri mbi këtë vend.