Dëshmia e autorit që qëlloi adoleshentin: E bëra pa dashje

Një ngjarje e rëndë tronditi zonën e Ali Demit në Tiranë, ku një 15-vjeçar është plagosur me armë zjarri brenda ambienteve të picerisë “Fantazia”. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, por detajet tronditëse kanë dalë në dritë vetëm së fundmi.

Autori i dyshuar, Aldo Neziri, ka përdorur një armë të sofistikuar të fshehur në formën e një stilolapsi për të qëlluar adoleshentin. Pas krimit, Neziri ka hedhur armën në zonën e Laprakës në përpjekje për të zhdukur provat.

Më alarmante është mënyra sesi është menaxhuar ngjarja nga stafi i lokalit. Tre punonjës të picerisë janë arrestuar, pasi akuzohen se kanë ndërhyrë në skenën e krimit, duke fshirë gjurmët dhe duke shmangur njoftimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit. Burimet konfirmojnë se policia është lajmëruar vetëm pasi i mituri është dërguar në spital. Në momentin që efektivët kanë mbërritur në vendngjarje, ambientet e picerisë “Fantazia” ishin pastruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë ishin zhdukur.

Autori ka pretenduar se plagosja ka ndodhur aksidentalisht, por hetimet paraprake kanë ngritur dyshime serioze se ngjarja nuk është e rastësishme. Policia po heton rrethanat, përfshirë motivet dhe llojin e marrëdhënies mes autorit dhe viktimës, ndërsa arma e përdorur – një pistoletë kamufluar si stilolaps – ngre pikëpyetje serioze për burimin dhe përdorimin e armëve të tilla në mjedise publike.

Publikuar nga Publik Media