Pronarët e “Baro Beach” akuzojnë “Oricon Coast” për dhunë dhe uzurpim
Një ngjarje e rëndë me përplasje fizike ka ndodhur në zonën turistike të Radhimës, duke rikthyer në vëmendje kaosin dhe pasigurinë që shoqëron çdo verë ndarjen e hapësirave të plazhit në Shqipëri. Dy persona kanë përfunduar në spital pas një sherri të dhunshëm për pronësinë e vijës bregdetare mes dy subjekteve turistike.
Sipas pronarëve të subjektit “Baro Beach”, të lidhur me “Hotel Dion”, dhuna ka shpërthyer pasi fqinjët e tyre, të cilët pretendojnë të njëjtën hapësirë plazhi, kanë tentuar ta marrin atë me forcë, pavarësisht se “Baro Beach” zotëron një kontratë të rregullt qiraje pesëvjeçare të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Bashkinë Vlorë, që nga gushti i vitit 2021.
Konflikti, që kishte nisur më herët me tensione verbale, eskaloi të shtunën kur – sipas dëshmisë së familjes që menaxhon “Baro Beach” pronari i “Oricon Coast”, Adjon Hanxhari, ka dërguar persona të armatosur për t’i trembur dhe dhunuar fizikisht.
“Na tregoi forcën e tij me bodigardë”, thanë të afërmit e të lënduarve, ndërsa konfirmuan se “dy persona përfunduan në urgjencë, përfshirë edhe një djalë me nënshtetësi italiane”.
Në kontratën zyrtare, të nënshkruar më 3 gusht 2021 nga zonja Floresha Mukaj në emër të subjektit qiramarrës, përcaktohet se “Baro Beach” ka të drejtën e përdorimit të 200 m2 në parcelën VL-291 për një periudhë pesëvjeçare, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 171, datë 27.03.2019. Ata theksojnë gjithashtu se objekti i tyre figuron në Google Maps që prej vitit 2010 – shumë përpara se “Oricon Coast” të shfaqej në zonë.
Ngjarja është konfirmuar edhe nga burime policore, të cilat bëjnë me dije se palët janë shoqëruar në komisariat për sqarimin e rrethanave. Megjithatë, çështja mbetet e ndjeshme, dhe autoritetet lokale pritet të marrin masa për të garantuar zbatimin e ligjit dhe për të parandaluar precedentë të tillë që kërcënojnë rendin, sigurinë dhe turizmin në zonat bregdetare.
Kjo përplasje në Radhimë është një shembull i qartë i kaosit institucional mbi menaxhimin e hapësirave publike, ku pushteti i forcës shpesh merr përparësi ndaj dokumenteve zyrtare. Rasti ngre pyetje serioze mbi transparencën e dhënies me qira të bregdetit, mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave dhe mbrojtjen e sipërmarrësve ligjorë në një sektor që pretendon të jetë motor ekonomik i vendit.