Kryepolici ortak me kapobandën Ylli Cara
Ilir Proda dhe Ylli Cara kishin 50% ortakëri në biznesin “Sara & Kristi”, një kompani e mbuluar për trafik droge me makina të kontrabanduara. Vettingu zbulon edhe apartament të paguar me para kesh nga krimi, ndërsa SPAK mban dosjen në sirtar…
Dokumente zyrtare të siguruara nga “Pamfleti” provojnë se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Agim Proda, është i lidhur financiarisht dhe operativisht me Ylli Carën, drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që vepron në trafikun e drogës, pastrimin e parave, kontrabandën, pengmarrjet dhe inskenimin e vrasjeve.
Që nga viti 2016, Ilir Proda dhe Ylli Cara janë bashkëpronarë me nga 50% të aksioneve në kompaninë “Sara & Kristi sh.p.k”, një subjekt që operonte si agjenci për dhënien me qira të makinave, e vendosur afër Komisariatit Nr. 3 në Tiranë.
Kompania u krijua ilegalisht në korrik 2016, në kohën kur Ilir Proda ishte shef sektori për anti-drogën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe u regjistrua zyrtarisht më 15 maj 2017, menjëherë pasi Proda u emërua shef për krimet kundër personit dhe pasurisë.
Aktiviteti i kompanisë zgjati deri më 6 dhjetor 2018, kur SHISH dhe anti-mafia raportuan se “Sara & Kristi” përdorej si mbulesë për trafik droge dhe ishte furnizuar me makina të kontrabanduara.
Megjithëse rezulton në likuidim që prej janarit 2019, kompania vijon të funksionojë nën hije, duke përfituar nga ndikimi institucional i Ilir Prodës, tashmë në krye të Policisë së Shtetit që nga tetori 2024.
Vettingu ekspozoi pastrimin e parave nga kryepolici në bashkëpunim me kapobandën
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në Policinë e Shtetit, në vendimin nr. 21, datë 8 mars 2024, konstatoi një rast të rëndë pastrimi parash dhe përfitimi të paligjshëm prone nga Ilir Proda.
Sipas hetimit, më 1 dhjetor 2014, Proda porositi një apartament 119.8 m² në Tiranë, ndërsa pagesa për të u krye nga Ylli Cara në mënyrë kesh dhe jashtë sistemit bankar.
Ndërtuesi i pallatit, shtetasi O.C., ka deklaruar se në momentin final të firmosjes së kontratës, Cara ndërhyri personalisht dhe kërkoi që kontrata të bëhej në emër të Ilir Prodës, duke sqaruar se apartamenti ishte për të, ndërsa pagesën do ta bënte vetë.
Ky veprim përbën vepër penale për marrje përfitimi nga një individ i lidhur me krimin e organizuar dhe është indicie klasike e pastrimit të parave, një fakt i zbardhur dhe i dokumentuar nga vettingu.
Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre fakteve tronditëse, asnjë masë penale apo administrative nuk është marrë nga SPAK. Madje, edhe pse prej më shumë se një viti i është sekuestruar telefoni Ilir Prodës për dyshime të lidhjeve me grupe kriminale, dosja po mbahet e ngrirë.
Konkluzioni:
Në çdo shtet normal, fakti që drejtori i Policisë së Shtetit ka pasur ortakëri me një kapobandë të trafikut të drogës, dhe ka përfituar apartamente të paguara me para jashtë sistemit bankar, do të mjaftonte për shkarkim të menjëhershëm, sekuestro pasurie dhe kallëzim penal.
Në Shqipëri, kjo dosje po zvarritet. SPAK hesht. Ilir Proda komandon policinë. Dhe Ylli Cara vijon të sundojë në prapaskenë./Pamfleti