‘Dorëzohet’ Rama, pranon fenomenin e korrupsionit në administratë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste në Lezhë, ku u ndal gjerësisht te debatet mbi nivelin e korrupsionit në vend.

Në fjalën e tij, Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës për rritje të këtij fenomeni, duke theksuar se Shqipëria nuk ka përjetuar asnjëherë një angazhim më të madh institucional për ta luftuar atë. Ai pranoi se korrupsioni nuk është zhdukur plotësisht, por këmbënguli se sot është në nivele më të ulëta krahasuar me të kaluarën.

“Nuk them që e kemi shfarosur korrupsionin, por them një gjë që mund ta faktoj në disa rrugë. E para kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë dhe korrupsioni është më i ulët se çdo herë më parë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë argumentoi se disa tregues ekonomikë nuk përputhen me pretendimet për përkeqësim të situatës. Sipas tij, rritja e pensioneve dhe zgjerimi i përfituesve nga fondet publike tregojnë për një rritje të të ardhurave buxhetore dhe jo për devijim të tyre.

“Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe të rriten pensionet në të njëjtën kohë? Pensionet rriten sepse rritet buxheti i shtetit. Nëse korrupsioni do të ishte në rritje, ai do t’i thithte këto të ardhura”, deklaroi ai.

Rama shtoi gjithashtu se rritja e pjesëmarrjes në garat publike bie ndesh me tezën e një korrupsioni në rritje, duke e cilësuar këtë si një tjetër sinjal pozitiv për funksionimin e sistemit.

Në fund, ai solli në vëmendje edhe transformimet në ofrimin e shërbimeve publike, duke bërë krahasim mes së kaluarës dhe realitetit aktual. Sipas tij, në të shkuarën qytetarët përballeshin me radhë të gjata për pagesa apo dokumente, ndërsa sot një pjesë e madhe e këtyre proceseve kryhen online.

“Këto janë ndryshime konkrete. Atëherë si mund të thuhet se korrupsioni është rritur?”, përfundoi kryeministri.

Publikuar nga Publik Media