Kryetari i PSD Tom Doshi në një takim elektoral akuzoi kryetarin e bashkisë Shkodër Benet Beci se po dëmton Velipojën me ndërtimet pa leje.
“Nuk e paskemi njohur këtë që është në krye të bashkisë sot, pasi është i infiltruari i Sali Berishës. Për 2 vite nuk ka bërë asgjë në Velipojë përveçse ka prishur lokalet e ka bërë veç dëm. Kanë mbetur edhe 3 kaçatorra këtu, njëri është drejtor i IKMT, tjetri punon me OSHEE, që rrinë dhe bëjnë presion nëpër Velipojë. Është fatkeqësi e madhe që Velipoja të bjerë në dorë të tyre”, tha Tom Doshi.
Ndër të tjera, Tom Doshi ka kërkuar votën e qytetarëve për zgjedhjet e 11 Majit.
“Siç ju kam përfaqësuar prej 20 vitesh, do vijoj të ju përfaqësoj. Edhe 1 javë na ka mbetur, të gjithë njerëzit brenda edhe jashtë, vota na vlen në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Doshi.
Doshi i bëri thirrje SPAK dhe BKH që të hetojnë krimet zgjedhore që po bëhen në Shkodër.
“Po bëhën krime zgjedhore në Velipojë. Janë bërë ndërtime pa leje në këmbim të votave. Ju e keni parë se çfarë i ka ndodhur në Trush, një nëne me fëmijë jetimë, Benet Beci u ka nisur IKMT-në. Këtu në plazh ndërton pa leje dhe atje që është në mes të fushës në Trush, shkojnë dhe e pezullojnë dhe e gjobisin. Është kaq i lig, kaq i vogël saqë e çon veten të merret me fëmijë jetimë. I bëj thirrje BKH dhe SPAK të vijë dhe të merret me krimet zgjedhore në Velipojë dhe në Bashkinë e Shkodrës”, tha Doshi.