Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të martën më 17 qershor vendimin për deklarimin fajtorë të ish-titullares së entit Tirana Parking në varësi të Bashkisë Tiranë, si dhe të katër zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, të akuzuar se favorizuan në mënyrë të paligjshme një kompani të zotëruar “de facto” nga ish-kreu i Ujësjellësit, Redi Molla dhe ai i IMT-së, Mariglen Qato, duke e ushqyer atë me tendëra publikë.
Ish-drejtorja e përgjithshme e institucionit Tirana Parking, Eglantina Zere dhe katër zyrtarët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati u morën nën përgjegjësi penale për akuzën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarin e Njësisë së Prokurimit, Kristo Zhulati, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.
Prokuroria vërejti në gjykatë se provat e mbledhura gjatë hetimeve provojnë plotësisht faktin se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k.
SPAK kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e Zeres me 1 vit burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj heqje lirie.Për katër të pandehurit e tjerë u kërkua masa e dënimit me 9 muaj burg, që me uljen e 1/3-ës së masës mbetet 6 muaj. Po ashtu, u kërkua pezullimi i masës së dënimit dhe vendosja në shërbim prove. Të pandehurit kërkuan pafajësi.
Gjykata vendosi të martën të njëjtën masë dënimi sa kërkoi dhe prokuroria,ku nga aplikimi gjykimit të shkurtuar, e pandehura Eglantina Zere u dënua përfundimisht me 8 muaj burgim, ndërsa katër të tjerët me nga 6 muaj. Ndërkohë, nuk u pranua kërkesa për pezullimin e dënimit.