Problemi i shëndetësisë në Shqipëri ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama
Kandidati për deputet i PD në Tiranë, Ilir Alimehmeti, deklaroi në edicionin e mesditës në Syri TV se shëndetësia në Shqipëri është e shkatërruar dhe qytetarët paguajnë nga xhepi për gjithçka.
Ai theksoi se ndërsa qeveria pretendon ndërtimin e 53 spitaleve, sipas INSTAT ekzistojnë vetëm 43. Sipas tij, Edi Rama dhe qeveria e tij gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme, duke manipuluar të dhënat. Alimehmeti denoncoi centralizimin ekstrem të shërbimeve shëndetësore, të cilin e cilësoi si praktikë autoritare.
Ai theksoi se fondet për shëndetësinë janë të ulëta dhe keqmenaxhohen në mënyrë të qëllimshme përmes tenderave dhe koncesioneve.
Në vijim, ai ironizoi premtimin për 300 mijë vende pune, duke thënë se shqiptarët gjejnë “punë” vetëm në Rinas, duke u larguar nga vendi.
Sipas tij, problemi kryesor i Shqipërisë ka një emër: Edi Rama, dhe zgjidhja nis me largimin e tij nga pushteti.
Alimehmeti: Njerëzit e kanë shumë të qartë se ku është shëndetësia në Shqipëri.
Të kesh shëndetin, është pa pagesë, po u sëmure duhet të paguash.
Ky është realiteti ynë dhe e dinë shumë mirë të gjitha organizatat ndërkombëtare të cilat prej nesh i marrin të dhënat. I marrin të dhënat zyrtare prej nesh.
I vetmi që gënjen në mënyrë të vazhdueshme është Edi Rama dhe qeveria e tij.
Në vetë fushatën që po bën Edi Rama sot e 2025, në draftin e tij, kandidatët e Partisë Socialiste na kanë thënë që kanë ndërtuar 53 spitale të reja në Shqipëri nga të cilat 10, komplet të reja nga hiçi.
Ndërkohë që në Shqipëri, gjithsej, po të shkoni në INSTAT do shikoni që ka gjithsej 43 spitale.
Gjithsej ka 43, Edi Rama ka ndërtuar 53.
Të vërtetën e dinë shqiptarët vetë, edhe organizatat ndërkombëtare e dinë shumë mirë, edhe Edi Rama e di shumë qartë, por vendos të gënjejë në këtë drejtim.
Sot jo vetëm që është fondi i ulët për shëndetësinë, por edhe këto fonde abuzohen dhe keqmenaxhohen, këtu brenda pastaj ke koncesione, tendera etj. që e dimë shumë mirë si ecën.
Një problem tjetër te shëndetësia e Ramës është centralizimi, që është praktikë e ekstremit të majtë, të gjitha shërbimet në një vend, në një dorë, që t’i ketë ai nën kontroll, dhe e kemi parë me Onkologjikun se çfarë ndodhi kur u vendos e gjitha në një dorë.
Sa i përket 300 mijë vendeve të punës, është një zonë rurale afër Tiranës e cila ka rekrutuar qindra mijëra shqiptarë, quhet Rinas.
Shqiptarët shkojnë në Rinas dhe gjejnë punë, diku jashtë shtetit.
U largua rinia shqiptare, u largua familja shqiptare.
Realitetin ne duhet ta shohim në sy, pse? Sepse një problem që ta zgjidhësh, në radhë të parë duhet kuptuar që ka një problem.
Në Shqipëri problemi e ka emrin Edi Rama, dhe nëse ne nuk merremi dhe nuk largojmë këtë problem, atëherë nuk ka zgjidhje.
Qytetarët sot kanë nevojë të ndjejnë se po mbështeten nga shteti, jo të ndihen si armiq të shtetit.