![]()
Në kulmin e fushatës zgjedhore, drejtori i “Albcontrol”, Maksim Et’hemaj, ka sajuar një tender skandaloz për pastrim zyrash, me vlerë gati 1 milion euro. Tenderi i dyshimtë është shpallur me ngut, duke ngritur dyshime se paratë e fryra artificialisht do përdoren për të mbuluar shpenzimet marramendëse të qeverisë në fushatën elektorale. SPAK duhet të zgjohet e të ndalojë këtë aferë flagrante.
Drejtori i “Albcontrol”, Maksim Et’hemaj, këtë javë e nisi me një skandal të ri financiar, duke organizuar një tender absurd për pastrimin e zyrave, vlera e të cilit është gati 1 milion euro.
Në datën 25 prill 2025, Et’hemaj ka firmosur një tender me vlerë 970 mijë euro (me TVSH) për “shërbimin e pastrimit të ambienteve të Albcontrol”, duke e publikuar mëngjesin e 28 prillit në Buletinin e Prokurimeve Publike. Afati i kontratës është tre vjet, që do të thotë rreth 323 mijë euro në vit, ose afro 27 mijë euro çdo muaj.
Ky tender ngre dyshime të forta për korrupsion dhe abuzim me fondet publike, sepse në realitet, zyrat e Albcontrol-it janë aktualisht të pastruara nga 5 sanitare të punësuara me pagë mujore prej 52 mijë lekësh, të cilat kujdesen edhe për ambientin e jashtëm.
Ndërkohë, drejtuesit e lartë të këtij institucioni paguhen me paga mujore nga 2500 deri në 6000 euro, pa llogaritur shpërblimet periodike. Megjithatë, duket se etja për para nuk shuhet kurrë, dhe këta zyrtarë kërkojnë “të ngjyejnë gishtat” edhe në një tender absurd si ky i pastrimit.
Tenderi do të zhvillohet më 28 maj 2025, pikërisht në kulmin e periudhës post-zgjedhore, duke ngritur dyshimin e fortë se fondet e fryra artificialisht të këtij tenderi do të shkojnë për të kompensuar shpenzimet e tejkaluara të fushatës elektorale.
Për të justifikuar shumën marramendëse, në tender është shtuar artificialisht edhe shërbimi i “dezinfektimit dhe asgjësimit të letrave”, shërbime këto që janë krejtësisht fiktive dhe pa kosto të konsiderueshme. Në fakt, letrat e zyrave copëtohen me grirëse dhe hidhen në kosha, ndërsa dezinfektimi rutinë nuk mund të kushtojë qindra mijëra euro.
SPAK duhet të hetojë urgjentisht këtë aferë, sepse drejtorit Maksim Et’hemaj duket se i ka “fluturuar” mendja nga babëzia dhe është më i pangopur se paraardhësit e tij në korrupsion. Ky tender është një tallje e hapur me qytetarët dhe një vjedhje e pastër e parave publike, e cila duhet të ndalet menjëherë./Pamfleti