Si po shndërrohet prona publike në resort privat me paratë e shtetit!
Sipas dokumenteve të publikuara, FSHZH ka hapur tenderin për “investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit”. Ky projekt është pjesë e një nisme më të gjerë për “poli turistik të Sarandës”, me justifikimin se zona do të shndërrohet në një “kampus Eco-Smart”, duke integruar akomodimin, turizmin, artin, edukimin dhe kulturën.


Por pas termave të sofistikuar të këtij projekti, fshihet një e vërtetë që ngre shqetësime: ndërtimi i një strukture private në një truall shtetëror, që pritet të transformojë një zonë ende të paprekur në një kompleks ekskluziv hotelier dhe restorantesh.
FSHZH ka hapur tenderin me objekt “investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit”.





Historia e një prone publike në rrezik
Zona ku po planifikohet ndërtimi i këtij kompleksi ka një histori të veçantë. Gjatë periudhës komuniste, rezidenca qeveritare në Kodrën e Gjashtës u përdor për pushime dhe takime të niveleve të larta. Vendndodhja e saj strategjike dhe peizazhi i rrallë panoramik e bëjnë këtë truall një nga pasuritë më të çmuara publike në Sarandë.
Sipas dokumenteve të FSHZH-së, projekti do të ruajë “identitetin historik të vilës qeveritare”, por në të njëjtën kohë, parashikohet ndërtimi i një hoteli dhe restoranti luksoz. Argumenti zyrtar është se kjo hapësirë do të shndërrohet në një qendër kulturore dhe ekonomike që do të mbështesë turizmin, krijimtarinë dhe ndërveprimin social.
Por kritikët e shohin këtë projekt si një maskim për privatizimin e një prone publike, e cila me shumë gjasa do t’i dorëzohet një subjekti privat për menaxhim, duke e privuar komunitetin nga aksesimi i saj.
Pikëpyetje mbi transparencën e projekteve të FSHZH-së
Ky nuk është rasti i parë kur FSHZH, nën drejtimin e Dritan Agollit, prokuron fonde publike për projekte që favorizojnë privatizimin e pronave shtetërore. Në të kaluarën, institucioni ka dhënë dhjetëra miliona euro për ndërtimin e hoteleve dhe restoranteve në zona me potencial turistik, siç është rasti i Llixhave të Bënjës në Përmet apo një kompleks në periferi të Tiranës.
Në rastin e Sarandës, projekti do të zgjasë 18 muaj, me financim të garantuar nga buxheti i shtetit për periudhën 2025-2027. Ndërkohë, mungesa e transparencës mbi përfituesit finalë të këtij investimi shton edhe më shumë dyshimet mbi qëllimin real të kësaj nisme.
Betonizimi i Sarandës
Saranda, një nga destinacionet më tërheqëse turistike të Shqipërisë, ka qenë prej vitesh viktimë e një zhvillimi urbanistik të pakontrolluar. Ndërsa në letër projektet e FSHZH-së tingëllojnë si përpjekje për zhvillim të qëndrueshëm, në praktikë shumë prej tyre kanë përfunduar si betonizim masiv dhe përfitime për një grusht njerëzish.
A do të jetë ky projekt një tjetër rast i tjetërsimit të pasurive publike në emër të turizmit, apo vërtet një hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm? Përgjigjet për këtë pyetje mbeten të mjegullta, por një gjë është e sigurt: një tjetër zonë e virgjër e Sarandës është në prag të shndërrimit në një kompleks privat.