Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Provat”, duke arrestuar një 18-vjeçar të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë tentativën për grabitje me dhunë ndaj tre shtetaseve italiane.
Shtetasi D. A., banues në Durrës, u kap në flagrancë në lagjen nr. 13 gjatë orëve të para të mëngjesit, teksa tentonte t’u vidhte sendet personale tre turisteve italiane, duke ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.
Hetimet kanë zbardhur gjithashtu edhe dy raste të tjera të vjedhjeve me thyerje xhami të ndodhura më 27 dhe 28 prill 2025, në të njëjtën zonë të qytetit, ku i riu kishte grabitur sende personale nga brenda automjeteve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak dhe disa sende të dyshuara si të vjedhura. Në lidhje me këtë çështje, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E. D., 36 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha veprat e mundshme kriminale që dyshohet se janë kryer nga i riu. Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.