Moderatorja e njohur Alketa Vejsiu ka bërë një postim prekës sot në rrjetin social Facebook, duke shprehur krenarinë për vajzën e saj, e cila ka mbyllur studimet me rezultate të larta në Londër. Zonja Vejsiu shkruan se bota nuk po kalon momente të mira, por shton se në tokë ka shumë njerëz të mirë.

Zonja Vejsiu ka të drejtë të ndihet krenare për vajzën e saj. Gjithashtu, nuk vihet në dyshim se në botë ka njerëz të mirë, që janë pasuruar me djersë dhe në rrugë të drejtë, ashtu siç ka edhe njerëz që janë pasuruar përmes të keqes, trafikut të drogës, prostitucionit, vrasjeve, kontrabandës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Meqenëse zonja Vejsiu është një personazh i njohur, publiku ka kureshtje të dijë edhe rreth bashkëshortit të saj Ardian Nelo, një personazh i njohur në rrethet me perde të mbyllura të politikës, medias, ndërtimit dhe biznesit, por pothuajse një fantazmë për opinionin publik. Zonja Vejsiu ka folur shumë rrallë për Ardian Nelon dhe kur ka folur, historinë e ka treguar si një përrallë të bukur me Hirushen.
“E njoha kur vendosa të blija shtëpi për prindërit. Isha 20 vjeçe. Në atë kohë bëja dy punë që të më dilnin paratë për kredinë. Ai ishte ndërtuesi i pallatit që kisha zgjedhur për ta. Lamë një takim dhe mbaj mend që kur u ulëm, ai hoqi syzet dhe unë pashë ata sytë të kaltër të paparë. Për nëntë muaj, deri në pagesën e këstit të parë nuk ndodhi asgjë. Më pas nisi historia jonë e bukur e dashurisë, historia e jetës sime”, është shprehur moderatorja.
Ardian Nelo është një nga biznesmenët kryesorë të ndërtimit në Tiranë. Përpos të tjerave, Nelo është edhe pronar i kompanisë së njohur Orion shpk, me aktivitet prej 25 vitesh në fushën e ndërtimit, lakuar vitet e fundit për grabitje pronash nga Tirana në Vlorë.

Disa prova të administruara nga SPAK tregojnë se Ardian Nelo është një nga biznesmenët që ka sponsorizuar udhëtime të kryeministrit Edi Rama me charter, në konflikt interesi, pasi ka përfituar nga qeveria leje për ndërtim resortesh në jug të vendit dhe kulla në Tiranë.
Po a e ka pyetur Alketa Vejsiu se çfarë pune ka bërë bashkëshorti i saj në Itali para se të vinte për të investuar paratë në ndërtim në Shqipëri?
Nëse e ka pyetur ose nëse e di, a është moderatorja krenare për punët që ka bërë Nelo në Itali?
A ndodhet në arkivat e Prokurorisë një dosje e italianëve për aktivitetin kriminal të Ardian Nelos në Itali?
A e ka marrë Ina Rama një apartament te Rruga e Kosovarëve nga Ardian Nelo për t’i arkivuar dosjen kur ishte kryeprokurore?/Prapskena