‘E mpleksur’ në dosjen ‘Epstein’, modelja Gigi Hadid thyen heshtjen

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Modelja e njohur Gigi Hadid ka reaguar publikisht pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ku emri i saj dhe i motrës së saj Bella Hadid përmenden në disa komunikime të vjetra të lidhura me Jeffrey Epstein.

Në një përgjigje ndaj një komenti në rrjetet sociale, Gigi Hadid e cilësoi Epstein si një “person të neveritshëm”, duke theksuar prerazi se nuk ka pasur asnjë kontakt apo marrëdhënie me të. Ajo u shpreh se është shqetësuese dhe e pakëndshme të lexosh komente për veten nga dikush që nuk e ke takuar kurrë, sidomos në një kontekst kaq të ndjeshëm.

Modelja sqaroi gjithashtu se fillimisht kishte zgjedhur të mos reagonte publikisht, për të mos larguar vëmendjen nga dëshmitë dhe zërat e viktimave reale. Megjithatë, ajo theksoi se e ndjeu të nevojshme të qartësonte pozicionin e saj përballë aludimeve.

Sipas saj, karriera në modë është ndërtuar ekskluzivisht mbi punën dhe përkushtimin personal, duke kujtuar se kontratën e parë me një agjenci modelingu e ka firmosur në vitin 2012 dhe prej atëherë ka qenë vazhdimisht aktive në industri.

“Përmendja e emrit tim në këto dokumente është shqetësuese dhe dua të jem e qartë: nuk kam pasur kurrë lidhje me këtë person”, është shprehur Hadid.

Ndërkohë, dokumentet e publikuara përfshijnë një shkëmbim emailesh të vitit 2015, ku Epstein diskutonte për karrierën e motrave Hadid. Në një nga komunikimet, ai përgjigjet ndaj një pyetjeje mbi suksesin e tyre në modelim, duke mohuar që ai të kishte ndonjë rol apo ndikim në ngritjen e tyre profesionale.

Ky zhvillim ka rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjet dhe komentet e Epstein për figura të njohura publike, duke nxitur sërish debat mbi rrjetin dhe ndikimin që ai ka pasur ndër vite.

Publikuar nga Publik Media