Edhe ARDITI i Postës Shqiptare starton me tenderin 210 milionë pa GARË

Ardit Demiri nuk ka shumë kohë që ka marrë rolin e drejtuesit në Postën Shqiptare. Por pavarësisht kohës së pakët nën drejtimin e këtij institucioni, bëmat e tij në fushën e shpërdorimit të parave kanë filluar të dëgjohen nga dita në ditë.

Natyrisht mënyra më e mirë për të shpërdoruar dhe për të marrë pjesën e tij të parave është ajo e përdorimit të tenderave për të arritur këtë qëllim. Ditën e sotme do t’ju paraqesim bëmën e rradhës së Ardit Demirit.

Posta Shqiptare ka organizuar një tender të ri me objekt “Mirëmbajtje Data Center Primar dhe Data Center sekondar”. Tenderi me numër reference REF-70235-05-24-2023 ka si fond limit shifrën 17,976,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 215 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Shohim se kemi të bëjmë me një tender klasik mirëmbajtje që do të thotë se mundësitë për abuzim janë tepër të mëdha. Kjo pasi zakonisht tenderat për mirëmbajtje janë ata që përdoren në masë për të patur mundësi abuzimi me fondet.

Në fakt tenderi është i dyshimtë. Themi kështu pasi shikohet se kemi të bëjmë me një procedurë pa garë. Në tender ka marrë pjesë vetëm një garues dhe ashtu siç pritej, ka fituar. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve ekonomikë “ALBITAL – CANON” dhe “S & T ALBANIA”. “ALBITAL – CANON” është në pronësi të Servet Kasa, Mikel Llazo dhe Rolinda Llazo ndërsa “S & T ALBANIA” ka si administrator Kleanthi Prifti.

Këto kompani kanë ofruar shifrën prej 17,436,000 lekë të reja ose rreth 210 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nga ana tjetër kjo shifër rezulton të jetë sa 97% e fondit limit të tenderit, duke përforcuar akoma më tej dyshimet se kemi të bëjmë me një tender me fitues të paracaktuar.

Publikuar nga Publik Media