Edhe domatet po na vrasin ngadalë!

Etefoni, hormoni kancerogjen që shitet në Shqipëri me dijeninë e Ministrisë së Bujqësisë

Në një vend ku agjencia shtetërore që duhet të na mbrojë nga ushqimet e rrezikshme është kthyer në avokatin më të heshtur të helmimit të popullsisë, rasti i hormonit kancerogjen Ethephon është më shumë se një alarm — është një akt akuzë. Një akt akuzë ndaj një sistemi që ka braktisur sigurinë ushqimore për hir të fitimit të shpejtë dhe marrëveshjeve të pista nën tavolinë.

Prej javësh ne në Publik.al kemi raportuar  opinionin publik për  skandale të njëpasnjëshme që kanë dalë nga zinxhiri ushqimor shqiptar: 35 pesticide të ndaluara, salmonela në mish, shpendë të ngordhur të ricikluar në treg, dhe më së fundmi, bomba biologjike e mbështjellë me ambalazh bujqësor: Ethephon, hormoni që përshpejton pjekjen… dhe sëmundjen.

Në vendet e BE-së, ky substancë lejohet vetëm në kultura që përpunohen industrialisht, si pambuku apo duhani. Në Shqipëri, falë vendimeve të një komisioni të përbërë nga burokratë me firmë të lehtë dhe ndërgjegje të rënduar, Ethephoni është futur në rrënjët e domates që konsumojmë çdo ditë, në specin e tregut të lagjes dhe në pjepërin që u japim fëmijëve në darkë.

Pse? Sepse fermeri  kërkon ta shesë sa  më shpejt. Sepse farmacisti i tregtonte pa etiketa. Sepse zv.ministri e legalizonte në kundërshtim me ligjin. Dhe mbi të gjitha, sepse Ministria e Bujqësisë ka zgjedhur të jetë spektatore e helmimit kombëtar.

Skandali është i trefishtë:

  1. Produktet u regjistruan me etiketa të falsifikuara ose të ndryshuara, në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe direktivat e BE-së.
  2. Institucionet heshtën edhe pasi u denoncuan rastet, me dokumente, etiketa dhe fakte shkencore.
  3. Ndryshimi i vonuar i etiketave në vitin 2024 është një fasadë, sepse as sot ky produkt nuk gjendet i përditësuar në terren, por shitet lirisht për të skuqur domate të freskëta.

Dhe si për të tallur inteligjencën publike, Ministria e Bujqësisë urdhëron që Ethephoni të përdoret vetëm në “pambuk, grurë, elb dhe duhan” — ndërkohë që në Shqipëri nuk mbillet as pambuk, as elb industrial dhe gruri nuk ka nevojë për hormone. Pse? Sepse vendimi është sa për të hedhur hi syve. Ndërkohë që domatet vazhdojnë të kuqërojnë përpara kohe në tregjet e fshatit e qytetit, por me një kosto që shfaqet më vonë: në statistikat e rritura të sëmundjeve endokrine, infertilitetit dhe tumoreve.

Ky nuk është më një debat teknik për një emër kimik. Ky është një akt helmimi institucional, një marrëveshje mes krimit ekonomik dhe paaftësisë administrative, e cila godet direkt në tryezën dhe shëndetin e çdo qytetari.

Sot, Publik.al kërkon publikisht:

  • Hetim penal ndaj komisionit që regjistroi Ethephonin me etiketa të rreme, në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe direktivat europiane.
  • Kontroll masiv dhe urgjent i farmacive bujqësore, ku ky helm vazhdon të tregtohet pa asnjë ndalesë.
  • Transparencë të plotë nga Ministria e Bujqësisë për të gjitha produktet me përmbajtje të Ethephonit të regjistruara dhe importuara në vend.
  • Ndëshkim të përgjegjësve, përfshirë zv.ministrat dhe zyrtarët që firmosën me vetëdije lejet helmuese.

Sepse sot nuk po flasim më për standarde, për etiketa apo për emra teknikë. Po flasim për jetë njerëzish. Dhe asnjë domate nuk ia vlen të shkëlqejë më shpejt në treg, nëse çmimi i saj është një diagnozë në spital.

Në një vend normal, ky do të ishte momenti i dorëheqjes dhe ndjekjes penale. Në Shqipëri, është thjesht një lajm i rradhës. Deri kur dikush ta ndalë.

Publikuar nga Publik Media