Ermal Mulosmani
Një gjë është e qartë. Edi Rama do t’i fitonte zgjedhjet me çdo kryetar të mundshëm të Partisë Demokratike. Ai ka perfeksionuar sistemin kapilar të menaxhimit të votës përmes favoreve/blerjeve. Jemi në një sistem oruellian ku Vëllai i Madh ka dijeni për gjithçka. Ai e di ekzaktësisht rezultatin e zgjedhjeve përpara se ato të zhvillohen. Mekanizmi është sondazhi permanent dhe tjetërsimi i vullnetit përmes favoreve të pushtetit dhe klientëve të tij përfitues.
Çdo klient-biznesmen ka një zonë të vogël në patronazh. Përfitimet 4 vjeçare dhe ato të ardhme duan paguar. Ai jep llogari për zonën e tij, ka siklet të madh. Bashkëpunon me kapobandën e zonës, bashkiakun, njerëzit me ndikim, kandidatin, median dhe aktorët lokalë. Premton favore, ndihmon të varfrit në fushatë.
Pastaj vijnë milingonat përfituese, patronazhistët. Këta kanë evidenca edhe më kapilare, shtëpi më shtëpi. Janë komshinjtë tanë të mirësjellshëm, shokët tanë, shokët e fëmijëve tanë. Është një piramidë njerëzish që jep llogari direkt te Alibaba.
Ndërsa Partitë e Opozitës nuk kanë as komisionerë për të gjitha zonat, as vëzhgues. Janë të hallakatur, bërtasin shumë, zihen në FB, ekspozohen, improvizojnë. Është si të ndeshet një ushtri e organizuar, me armatim modern, serioze, me një çetë pa orientim. Pushteti nuk fitohet vetvetiu e as se vjen radha. Për të marrë pushtetin duhet organizim kapilar, njerëz që shkojnë në çdo shtëpi dhe flasin me votuesit. Do hierarki, organizim, imagjinatë, kreativitet, energji, punë të përditshme 4 vjeçare.
Do edhe njerëz që rezistojnë me çdo mënyrë kur manipulimi nga pushteti bëhet total. Të thuash “Më vodhën votat” është kot. Të kanë vjedhë votat? Merr masa. Gjej hajdutët, kapi. Ose kalo në nivele të rezistencës së armatosur. Bind njerëzit që pushteti po vidhet dhe duhet të organizohemi me armë. Kur ska mënyrë tjetër duhet të luftosh për të drejtën tënde. Jo të qash. Nuk të dëgjon më as Amerika e as Evropa nga ai veshi që dëgjonte refrenin: “Ja videot, provat e manipulimit”. Ik ore zhduku mbro votën se kam halle më të mëdha se votën tënde të thotë. Nëse nuk bën asgjë nga këto bëj tjetrën: Dorëzohu, jep dorëheqje. Por mos u anko!
Partia Demokratike u shpartallua në Shtator të 2021-shit. 3 vjet luftë pa asnjë vetëpërmbajtje, duke u thënë të fundit sivëllezërve të tyre të deridjeshëm, nxorën në sipërfaqe gjithçka kishte barku. E pastaj u pajtuan. Por kjo ka kosto. Bashkimi është mekanik, i pasinqertë. Partia u bë si han pa porta e njëkohësisht udhëhiqej nga të paaftë e dallkaukë. Rrethi i dytë e i tretë ishin servilët ndërsa rrethi i katërt ishin ata që sdinin ku të shkonin si Jorida Tabaku. Tre rrethët e parë ia treguan vendin: Nga nënkryetare e Partisë e çuan në listë të hapur, atje ku askush nuk kishte garanci!
Një Parti e tillë nuk i fitonte dot zgjedhjet përballë ushtrisë së pushtetit. Nuk kishin asnjë shans, asnjë fare për ta përballuar.
Që të vijë në pushtet Partia Demokratike duhet të pregatitet mirë. Duhet ti përgjigjet dhëmb për dhëmb pushtetit. Vetëm fëmijët qajnë dhe kërkojnë aleancën e nënës sa herë duan të përkëdhelen.
Të përdorë sa më mirë çdo burim financiar e jo të japë 6 milion Euro njerëzve kot më kot. Më mirë të paguajë njerëz që i ka pranë vetes dhe bëjnë punë konkrete të kontrollueshme. Fundja do të mbesnin paratë për njerëzit e saj.
Janë njëqint gjëra por e para është: Të fillojmë ta shohim problemin te vetja. Pa e bërë këtë nuk ka korrigjim.