Jona Dusha
Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella të emigracionit të fuqisë punëtore të kualifikuar, e cila po trondit shtyllat e sistemit shëndetësor. Një raport i fundit nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale, i drejtuar nga profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, ka nxjerrë në pah një realitet alarmant: mbi 40% e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga vendi, ndërsa për grupmoshën 24-40 vjeç, kjo shifër arrin deri në 53%.
Kush po i përzen mjekët?
Pse Shqipëria po humbet kapitalin e saj më të çmuar në fushën e shëndetësisë? Pagat e ulëta, kushtet e punës të papranueshme, mungesa e perspektivës së karrierës, mungesa e investimeve në infrastrukturën spitalore dhe ndjenja e pashmangshme e mungesës së së ardhmes janë faktorët kyç që po nxisin largimin masiv të bluzave të bardha. Nuk është thjesht çështje e pagave, por e mungesës së meritokracisë, e burokracisë dhe e klientelizmit që e ka kapur sektorin shëndetësor për fyti.
Një sistem shëndetësor që po shembet
Largimi i mjekëve në një vend ku popullsia po plaket me ritme alarmante sjell pasoja katastrofike. Një popullsi e moshuar ka nevojë për më shumë shërbime shëndetësore, por realiteti është se vendi ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Europë. Shqipëria numëron vetëm 18.8 mjekë për 10,000 banorë, krahasuar me mesataren europiane prej 37.4. Kjo mungesë burimesh njerëzore bën që spitalet të jenë të tejmbushura, shërbimet të vonuara dhe cilësia e trajtimit mjekësor të degradojë me shpejtësi.
Shqipëria po subvencionon sistemet shëndetësore të vendeve të tjera
Një nga aspektet më ironike të kësaj situate është se Shqipëria investon miliona euro në arsimimin e mjekëve të saj, vetëm për të përmbushur nevojat e tregut të punës në Gjermani, Itali, Britani të Madhe dhe SHBA. Kostoja e shkollimit të një mjeku është rreth 40,000 euro, ndërsa vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit Shqipëria ka humbur mbi 45 milionë euro për shkak të emigrimit të mjekëve. Ky është një dëm i përmasave katastrofike për një vend me ekonomi të brishtë dhe me një sistem shëndetësor të papërkrahur nga shteti.
Politikat qeveritare: Një dështim i paralajmëruar
Përballë kësaj krize, qeveria shqiptare nuk ka mundur të ofrojë asnjë zgjidhje reale. Propozimi i fundit për të detyruar mjekët të qëndrojnë tre vite në Shqipëri pas diplomimit nuk është as më shumë dhe as më pak se një vendim i pashpresë për të ndalur një lumë që nuk mund të kontrollohet me barriera burokratike. Problemi nuk zgjidhet duke i detyruar mjekët të qëndrojnë, por duke krijuar kushte që ata të duan të qëndrojnë.
Qeveria duhet të rrisë investimet në shëndetësi, të ndërtojë spitale me standarde moderne, të ofrojë paga dinjitoze dhe të krijojë mundësi të vërteta karriere. Po ashtu, duhet të ndërhyjë fuqishëm për të ndaluar korrupsionin dhe klientelizmin që ka bllokuar avancimin profesional të mjekëve të rinj. Pa këto masa, Shqipëria do të vijojë të humbasë talentet e saj dhe sistemi shëndetësor do të shembet.
Emigrimi masiv i mjekëve shqiptarë është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë. Përderisa shëndetësia mbetet e neglizhuar dhe qeveria vijon të injorojë realitetin, e ardhmja e vendit do të jetë gjithnjë e më e pasigurt. Shqipëria nuk mund të lejojë që mjekët e saj të shërojnë qytetarët e botës, ndërsa shqiptarët mbeten pa shërbime mjekësore në vendin e tyre.