Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ku një shpërthim me eksploziv u regjistrua në ambientet e Burgut të Fushë Krujës. Sipas informacioneve, dyshohet se
lënda plasëse është hedhur pranë gjeneratorit që ndodhej në burg, ndërsa shpërthimi është ndjerë rreth 5 kilometra larg vendngjarjes.
Mësohet se lënda shpërthyese ka qenë artizanale, e krijuar me nitrat. Pas një telefonate në sallën operative në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që raportonte për shpërthimin, drejt IEVP Fushë-Krujë janë nisur edhe oficerë policie nga kryeqyteti, të cilët kanë konstatuar se nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.
Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa po këqyren edhe kamerat e sigurisë të instaluara në ambientet e IEVP Fushë-Krujë, për të parë çdo lëvizje që është kryer përreth perimetrit të burgut.