Ekssperti Softa zbulon se kush tentoi ta fshihte krimin në Pogradec

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, duke folur për ngjarjen e rëndë në Pogradec ku si pasojë e dhunës humbi jetën 42-vjeçari Eglantin Proga, tha se kemi një shtim të rasteve të dhunës dhe ngjarjeve të rënda në vend.

Softa tha se fillimisht për ngjarjen e Pogradecit u raportua se viktima kishte konsumuar alkool, ishte rrëzuar dhe kishte humbur jetën, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Eksperti i sigurisë tha se transporti drejt spitalit për ti dhënë ndihmën e parë 42-vjeçarit mund të ishte bërë si nga qytetarët, ashtu edhe nga policia.

Policia nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me ngjarjen, kemi një deklaratë të një dite më parë, pasi personi humbi jetën. 42-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e dhunës, janë konstatuar shenjat në trup si pasojë e dhunës. Viktima nuk ishte në një rrugë të braktisur, ishte në zonën më të populluar të qytetit”, tha Softa.

Eksperti i sigurisë u shpreh se ngjarja në Pogradec është zbardhur pas reagimeve dhe presioneve në rrjetet sociale apo medias.

Ai tha se policia ka pasur të gjithë kohën për të parë kamerat, ka pasur mundësinë që të shikojë tabulatet telefonike dhe duhej të zbardhte arsyet apo shkakun e krimit.

Nuk ndodh një dhunë e tillë për ti marrë jetën një personi nga një konflikt i çastit, pasi është dhunuar deri në marrjen e jetës”, tha eksperti.

Ai u shpreh se akuza “vrasje nga pakujdesia” do të thotë se s’ka vullnet një person për të bërë vrasjen.

Por kur e godet një person, atëherë dihen pasojat. Si mund të jetë padashje përdorimi i dhunës? Kjo nuk mund të klasifikohet si vdekje aksidentale, kjo është një ngjarje që pavarësisht si klasifikohet, duhet të zbardhet, që nga puna hetimore e policisë dhe deri te arsyet pse ndodhi krimi”, tha Softa.

Skandali vijon më tej me ndryshimin e akuzës mbi 28-vjeçarin Denis Meçe 

Në njoftimin e policisë të datës 10 gusht u theksua se mbi të riun rëndonte vepra penale “Vrasja me dashje”. Ndërkohë për 3 personat e tjerë: Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe rëndojnë akuzat “Moskallëzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta të fundit kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

Por akuza mbi të riun Denis Meçe ka ndryshuar. Prokuroria nuk e akuzon atë për “Vrasje me dashje”, por për “Vrasje nga pakujdesia”, një vepër penale kjo që parashikon më pak vite burg. 

Gjithçka duket qartë në vendimin e sotëm të Gjykatës së Korçës.

Në seancën e sotme gjyqtarja Luljeta Kole pranoi kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë “Arrest në burg” për autorin. Rrjedhimisht edhe akuzën që rëndon mbi të, duke mos kërkuar hetime më të thelluara në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku ka dyshime se 42-vjeçari u dhunua qëllimisht në mënyrë barbare nga Meçe, dhe nuk ishte ngjarje nga pakujdesia. 

Gjoba që Egli Proga nuk i pagoi Denis Meçes

Në media është raportuar se Denis Meçe i kishte vënë “gjobë” viktimës, duke i kërkuar atij xhiron ditore të lokalit të tij. Këtu ka lindur edhe përplasja mes tyre.

Por, viktima refuzoi që t’i jepte para, duke u shprehur se ka për të mbajtur dy fëmijët e tij, dhe në këtë moment është dhunuar rëndë nga Denis Meçe në mënyrë barbare, derisa humbi jetën në spital. Detaj ky shumë i rëndësishëm që është konfirmuar edhe nga afërmi i viktimës , i cili është shprehur se gjobëvënia dyshohet të jetë motivi që ka çuar Denis Meçen të rrahë për vdekje Egli Progën.

Në këtë kronologji të kësaj ngjarjeje lindin shumë dyshime për mënyrën se si po hetohet dhe vendimin që mori sot Gjykata e Korçës, e cila la në detyrim paraqitje edhe 3 personat e tjerë për moskallëzim krimi. Këta të fundit, edhe pse kishin djeni të ngjarjes së rëndë dhe nuk treguan, qënduan vetëm 3 ditë në qeli dhe u lanë të lirë. Mbi ta është vendosur masa “detyrim paraqitje”. 

Kjo ngjarje tregon qartazi problemet që ka sot në Shqipëri sistemi i drejtësisë dhe se sa vështirë është të vihet drejtësia dhe autorët marrin dënimin e merituar. Familjarët bëjnë thirrje vetëm për drejtësi. Ata hedhin akuza mbi policinë, prokurorinë, gjykatën dhe shprehen se po mbulohet vrasja makabre në mes të qytetit liqenor.

Publikuar nga Publik Media