Elisa Spiropali i jep pa garë Grigor Jotit, 268 MLN lekë për kamerat e Kuvendit

Një ditë pas zgjedhjeve, më 12 maj 2025, Elisa Spiropali i ka dhënë Grigor Jotit kontratën 268 milionë lekë për mirëmbajtjen e kamerave të Kuvendit.

Tenderi është mbajtur në fshehtësi dhe është zhvilluar me një pjesëmarrës, kompaninë “INFOSOFT SYSTEMS” shpk. Bëhet fjalë për kontratën me objekt “Shërbimi mirëmbajtje i sistemit audio-video 24 muaj”.

Tenderi është mbajtur thuajse sekret, nuk është njoftuar në faqen zyrtare, ndërkohë publikohet në Buletinin e Prokurimeve vetëm fituesi. Procedura ka filluar nga komisioni i Spiropalit në 3 prill 2025 dhe fondi limit i përllogaritur i kontratës ka qenë me vlerë në total 23.764.282 lekë pa TVSH.

Por më pas kontrata e Spiropalit është ngarkuar me shtesa të tjera dhe kap përfunduar me vlerën 26.806.320 lekë (me TVSH).

Kjo procedurë, sipas dokumenteve, ka pasur vetëm një ofertë e cila është shpallur “e suksesshme” e për rrjedhojë

është ngarkuar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike vetëm formulari i njoftimit të fituesit. Me sa duket komisioni nuk ka duruar as të mbarojë afati për ankimim.

Pra, Kuvendi i Shqipërisë që duhet të jetë model i zbatimit të ligjit dhe i pari në luftën kundër korrupsionit, bën një tender pa garë. Për më tepër, kjo procedurë është thuajse sekrete sepse nuk është njoftuar.

Kush është oligarku prapa INFOSOFT?

“INFOSOFT SYSTEMS” shpk është themeluar nga Grigor Joti më 1995. Historia e kompanisë është mbushur me skandale që janë zbuluar nga KLSH, madje janë hetuar edhe nga prokuroria.

Nuk mjafton marrja me tendera të parregullt e një pjese të buxhetit të shtetit për kompiutera dhe teknologji informatike, por grupi i kompanive të tij bën edhe mashtrime me taksat.

Më i madhi ishte rasti i përfitimit të 4.5 milionë eurove përmes mashtrimit me TVSH. Bëhet fjalë për dosjen “Çështja Penale Nr. 828.2020”, në ngarkim të grupit “Joti”, i cili akuzohet nga Prokuroria e Tiranës 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve. Këto fatura, janë lëshuar nga dy bizneset fantazma “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION ” të oligarkut Grigor Joti, kapur më herët dhe i kallëzuar penalisht nga KLSH edhe për çokollatat dhe akulloret e importit me etiketa false, të skaduara e me substanca kimike.

Për 4.5 milionë Euro që dy firmat e Grigor Jotit të “InfoSoft” i kanë vjedhur shtetit me mashtrim tatimor, prokuroria e Tiranës ka konstatuar se faturat hartoheshin nga vëllai i tij Roland Joti, nga familjarja e tyre Ana Zervoi administratore dhe dy punonjës të firmave përkatëse. Faturat janë lëshuar në emër të një subjekti privat me emrin “Lindita Spaho” e Nipt: L322170441I;, e cila sipas regjistrit të Tatimeve, rezulton e vetëpunësuar shitëse në treg, jashtë detyrimit të taksimit me sistemin e TVSH.

Jo vetëm kaq, por sipas prokurorit Bledar Valikaj, gjatë periudhës kur dy firmat “Inter Distribution Services Shpk” e “INTER TRADE & DISTRIBUTION Shpk” të oligarkut Grigor Joti kanë lëshuar faturat false për 4.5 milionë Euro TVSH në emër të subjektit “Lindita Spaho-Person Fizik”, kjo ka qenë e çregjistruar si aktivitet.

Pasi ka provuar vjedhjen edhe me dokumente tatimore, më 1 mars 2022 prokurori Bledar Valikaj ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, “Dosjen nr. 828/2020” me të pandehur Roland Joti, Ana Zervoi, Alban Ulkashej, Dritan Bylyku. Si ortakë dhe drejtues të firmave “Inter Distribution Services” e “INTER TRADE&DISTRIBUTION”, biznese të grupit “InfoSoft” me pronar oligarkun Grigor Joti, këta kanë kryer veprën penale “Fshehje e të ardhurave” e “Falsifikim të dokumenteve tatimore në bashkëpunim”, me pasojë 4.5 milionë Euro vjedhje.

I ndodhur para këtyre skandaleve, Joti ka ndryshuar letrat e pronësisë së “Infosoft”, por tashmë të gjithë e dinë se kush i lëviz fijet për të marrë tenderat e majmë si ky i Elisa Spiropalit.

Tenderi i “Inteligjencës artificiale”

Elisa Spiropali mori në dorë tenderat me vlerë afro 1.2 milionë euro të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe infrastrukturës virtuale, të firmosura nga Lindita Nikolla, disa ditë para dhënies së dorëheqjes.

Kjo u bë e mundur, sepse shpallja e fituesve nga Kuvendi kishte mbetur pezull në KPP, si pasojë e disa denoncimeve për parregullsi në tendera. Po të merret parasysh ndikimi politik në KPP, kuptohet se Spiropalit është “qerasur” nga kryeministri me këto tendera me rastin e marrjes së detyrës.

Tenderi i parë lidhet me aplikimin e AI për zbardhjen e fjalimeve të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Teknologjia e luksit shkon fillimisht për ligjvënësit, ndërsa për Agjencinë e Prokurimeve që është bërë notere e korrupsionit, nuk aplikohet para zgjedhjeve të vitit 2025, për arsye të kuptueshme.

Për këtë qëllim, Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur një tender me fond 74 584 800 lekë për të blerë sistemin e transkriptimit të dhënave audio-video, bazuar në inteligjencën artificiale. Nëse përfshijmë edhe TVSH, kontrata parashikohet të arrijë në 89 501 760 lekë.

Faza e parë e prokurimit përfundoi më 22 korrik 2024, katër ditë para se kryetarja të jepte dorëheqjen për arsye shëndetësore. Sigurisht që Nikolla nuk është marrë direkt me problemet e komisionit të tenderit, por një lloj direktive duhet ta ketë dhënë mbi kompaninë që duhet të fitojë projektin e vendosjes së AI. Siç merret vesh, skualifikimet e kompanive janë pritur me ankesa të forta.

Pasi u anulua, tenderi u rihap në janar 2025. Tenderi është ankimuar në KPP nga dy kompani konkurruese. Njëra prej tyre është “DATA Log” shpk, e cila kërkon ndryshimin e kritereve dhe kushteve të tenderit.

Kështu, kërkohet të paktën 1 zhvillues i certifikuar për standardin “Akoma Ntoso”. “Përcaktimi i një kriteri të tillë është jo proporcional me objektin e kontratës,- ankohet “DATA Log. Kërkesa është tepër kufizuese dhe nuk është në përpjesëtim me nevojat reale të kësaj procedure prokurimi”.

Sipas kompanisë, nuk ekzistojnë certifikime të standardizuara dhe të njohura ndërkombëtarisht për “Akoma Ntoso”. Standardi “Akoma Ntoso” është zhvilluar si një iniciativë e hapur për normativë afrikane, siç mund të konstatohet shumë thjeshtë me një kërkim në Google: Akoma Ntoso (“zemrat e lidhura” në gjuhën akane të Afrikës Perëndimore) përcakton një grup përfaqësimesh elektronike të thjeshta neutrale ndaj teknologjisë në formatin XML të dokumenteve parlamentare, legjislative dhe gjyqësore. Por, nuk ekziston asnjë autoritet ndërkombëtar i akredituar apo ndonjë kompani me reputacion të njohur botërisht që ofron certifikim zyrtar të zhvilluesve për këtë standard.

“Përcaktimi i një kërkese për një ìinstitucion certifikuesî për “Akoma Ntoso” është teknikisht e paqartë dhe lejon hapësirë subjektiviteti apo diskriminimi. Përfshirja e këtij kriteri përjashton padrejtësisht operatorët ekonomik që kanë aftësi reale teknike, por që nuk disponojnë një certifikim formal të pamaterializueshëm (Akoma Ntoso)”, thekson në ankesën e saj kompania “DATA Log”.

Ankesa tjetër është bërë nga firma MC Networking , KPP e detyroi Elisa Spiropalin të bënte ndryshime në kriteret e kualifikimit për këtë tender.

Në reagimin e tij, Kuvendi më 30 prill 2025 ka shtuar dokumente të reja kritereve teknike të tenderit dhe data e mbajtjes së tenderit u vendos më 9 maj 2025.

Por një ditë para mbajtjes së procedurës së prokurimit është bërë një ankesë e dytë në KPP nga MC Networking dhe për momentin ka mbetur pezull se kush do ta instalojë inteligjencën artificiale për zbardhjen e fjalimeve të Spiropalit dhe deputetëve në Kuvend.

Publikuar nga Publik Media